Gazetarja Ambrozia Meta, u përball dy ditë më parë me një cënim fizik nga kryeministri Rama, për shkak se këtij të fundit nuk i pëlqyen pyetjet e saj në lidhje me planet e tij për t’i dhënë ishullin e Sazanit dhëndrit të Donald Trump.
Ky incident shkaktoi jehonë në mediat ndërkombëtare, të cilat kanë shprehur solidaritet me gazetaren Ambrozia Meta, dhe ndërkohë dënuan gjestin jo etik të kryeministrit Rama.
E ftuar në ‘Çim Peka Live’ Meta u shpreh se nuk e priste një akt të tillë nga kryeministri, dhe ishte e papregatitur për këtë përballje.
Ajo u shpreh se mospritja e këtij gjesti të kryeministrit vjen nga fakti se marrëdhënia e tyre nuk i kalon kornizat e kamerave, duke hedhur poshtë pretendimin e kryeministrit se ishte një prekje miqësore.
“Kam një marrëdhënie që nis nga momenti kur ndizen kamerat dhe përfundon në momentin kur fiken kamerat. Nuk kam asnjë lloj kofidence me kryeministrin që ai të mund të me drejtohej në atë lloj forme në justikikimet që përdori më pas ku e cilësoi si prekje miqësore. Ajo që kam ndjerë në ato momente, dhe prandaj kam reaguar instiktivisht, ka qënë një veprim dukshëm i ulët, me tendencën për të poshtëruar dhe denigruar” tregoi Meta.
Meta shpreh keqardhje për këtë situatë të krijuar, gjithashtu edhe për ofendimet e njëpasnjëshme që kryeministri ia kthehen në formë përgjigjeje nga pyetjet që ajo i drejton.
“Më vjen shumë keq që që situata u bë kaq e madhe sepse nuk doja të përmendesha dhe të merrja një protagonizëm të tillë. Gjithashtu, më vjen keq edhe për mënyrën sesi është sjell më pas kryeministri.
Ka kaluar në ofendime, më ka akuzuar që kam mashtruar ose që e kam përdorur këtë situatë, dhe akoma më keq, ka përdorur kolegët e terrenit duke u munduar t’i cilësojë si dëshmitar ndërkohë që ajo nuk ishte një prekje kolektive.
Ishte një prekje që mu bë mua, pra, nuk ishte një prekje që mund të vinte nga fakti që mund t’i kishte prekur të gjithë kolegët e mi e tashmë të zgjedhim nëse ishte përkëdhelje, prekje ledhatuese apo intimuduese dhe poshtëruese, -ashtu siç e ndjeva unë” përfundoi gazetarja.