Ish zv/kryeministri Arben Ahmetaj merret i pandehur për aferën me inceneratorin e Elbasanit.

Shqiptarja.com dhe Report Tv mëson se Prokuroria e Posaçme ka nisur komunikimin e akuzave ndaj Arben Ahametajt, Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirin, lidhur fraksionin e ndarë të inceneratorit të Elbasanit.

Ahmetaj është nën hetim për procedimin penal 277/1 për veprat penale pastrim parash, korrupsion në 6 raste dhe fshehje pasurie. Gjatë hetimeve pas kallëzimeve që u bënë ndaj tij, se ka përfituar dhurata e udhëtime të paguara nga administratorët e inceneratorëve, u ngritën 3 akuza teksa u shpall në kërkim ndërkombëtar.

Lidhur procedimin e parë për grupin e zyrtarëve mes të cilëve edhe ish-ministri i mjedisit Lefter Koka, GJKKO ka përfunduar gjykimin duke dhënë edhe dënimet përkatëse.

Prej 24 korrikut 2023 Arben Ahmetaj vijon të jetë në kërkim ndërkombëtar pasi akuzohet për “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

SPAK, në dosjen dorëzuar parlamentit në korrik të vitit të kaluar – kur i kërkoi parlamentit autorizim për arrestimin e tij – vinte në dukje transaksione financiare me shitje-blerje pasurish të patundshme, të shtrira ndër vite, që pas të cilave qëndronin dy sipërmarrësit e inceneratorëve Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. Ai dyshohet se ka ndërmarrë një mori aktesh, në funksionet e tij si ministër, për t’i mundësuar këtyre sipërmarrësve lidhjen e kontratave koncensionare për tre impiantet e trajtimit të mbetjeve në Elbasan, Tiranë dhe Fier.

Kjo është hera e dytë që Prokuroria e Posaçme SPAK ka marrë të pandehur në mungesë ish zvkryeminstrin Arben Ahmetaj, pas privatizimit të ish-ndërmarrjes shtetërore fabrikës “Buka.sha” në tetor 2023.

Ndërkohë në janar 2024 u mësua se Ahmetaj kishte kontraktuar një kompani lobuese ‘Prism Group’ kundrejt 150 mijë dollarëve për të informuar politikbërësit amerikanë “mbi akuzat e rreme” të ngritura ndaj tij në Shqipëri.