Një postim i datës 10 mars 2024 në profilin e kryeministrit, njoftonte se ndërtimi i rrugës Shëngjin-Velipojë përfundon së shpejti. Verifikimi i Faktoje tregon se premtimi mbush 5 vite që kur është artikuluar, por rruga ende s’ka përfunduar. Lexoni një retrospektivë të premtimit të shkelur deri për projektin me vlerë 3.8 miliardë lekë që synon të shkurtojë në 15 kiliometra distancën mes dy qytezave. 

Emi Kalaja

Investimi për rrugën Shëngjin- Velipojë për më shumë se 5 vite u kthye në “mollë sherri” mes qeverisë – bashkisë Shkodër dhe opozitës, si dhe peng i zvarritjeve. Rezultati? Rruga Shëngjin-Velipojë ende nuk ka përfunduar. 

Premtimi në vitin 2018

Në maj 2018 Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shëngjini dhe Velipoja do të lidheshin me një rrugë të re, (punimet raportoheshin të përfundonin në vjeshtë 2018). Premtimi u shoqërua me postimin e një videoje me detaje shpjeguese se si do të ishte rruga.

C:\Users\MAKcomputers\Desktop\shengjin - velipoje dokumente\rama premtimi.PNG

Sipas FSHZH në atë periudhë, investimi strategjik i qeverisë do ta shkurtonte rrugën lidhëse në më pak se 15 kilometra.

“Sot për të përshkuar rrugën nga Shëngjini në Velipojë duhen kaluar 66 km për 1 orë e 20 minuta dhe duhen kaluar 4 akse rrugore. Me investimin 3.8 mld lekë, shkurtohet distanca në vetëm 14.8 kilometra për 19 minuta.

Nga Porti i Shëngjinit, rruga ngjitet drejt shpatit me lartësi 100-200 metra mbi nivelin e detit dhe ruan paprekur plazhin e Shëngjinit, Ranën e Hedhun dhe plazhet e tjera të zonës. Kjo rrugë është tejet panoramike. Më pas lidhet me infrstrukturën e Velipojës”-përshkruante FSHZH. 

Riciklimi i premtimit në korrik 2022

Ndërtimi i Shëngjin – Velipojë – Ulqin u përmend sërish në korrik 2022, katër vite pas premtimit fillestar.

“Prej muajit tetor 2021, falë një investimi të BERZH dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit po vijon puna për ndërtimin e rrugës Shëngjin – Velipojë. Ky segment rrugor do të jetë një aks i ri, i cili për nga ana administrative do të përfshijë Bashkinë Shkodër dhe Bashkinë Lezhë. Rruga do të jetë paralelisht me vijën e bregdetit që shtrihet midis dy qendrave të banuara, duke ofruar një pamje të veçantë të bregdetit shqiptar dhe duke shërbyer njëkohësisht jo vetëm për lidhjen e tyre, por në vazhdimësi edhe për lidhjen më tej me Ulqinin. Puna po vazhdon në shpatin e malit, në 500 metrat e fundit ku po bëhet lidhja mes këtyre zonave turistike.”-deklaroi Rama.

Por punimet u ndërprenë, ndërsa traseja e rrugës nisi të shembej në segmente të caktuara duke u kthyer në rrezik për banorët.  Luc Toli kryeplaku i fshatit Rrjoll, tregon se është njoftuar firma që zhvillon punimnet, por deri më tani nuk ka asnjë zgjidhje.

Kantieri i rrugës Shëngjin-Velipojë

Maj 2023

Pak ditë para zgjedhjeve vendore të majit 2023, në “Real Story”, kryeministri Edi Rama foli për rrugën Shëngjin – Velipojë, e cila sipas tij pengohej prej gati një viti për shkak të përgatitjes së dokumentacionit. Ky argument u hodh poshtë nga kryetari i bashkisë në atë kohë, demokrati Bardh Spahia, i cili deklaroi se bashkia Shkodër kishte kryer në kohë rekord të gjitha detyrimet për dokumentacionet e shpronësimit. 

Përmes një kërkese për informacion dërguar në shkurt 2024, i kërkuam Bashkisë Shkodër të dhëna nëse vijojnë ende procedurat që lidhen me ecurinë e punimeve për rrugën Shëngjin – Velipojë.

Bashkia e Shkodrës konfirmoi për Faktoje se ka përmbushur detyrat e saj funksionale për: Shpronesimet publike dhe miratimin e lejes së ndërtimit të Infrastrukturës “Ndërtimi i rrugës Shëngjin – Velipojë, Lot 1, Faza I” dhe informimin e qytetarëve në lidhje me procedurat e shpronësimit që preken nga ndërtimi i rrugës. 

FSHZH: Përfundimi i punimeve në shtator 2024

Lidhur me ecurinë e punimeve dhe përfundimin e tyre Faktoje i është drejtuar me kërkese zyrtare Fondit Shqiptar të Zhvillimit, njësia zbatuese e këtij projekti.

Në përgjigjen për Faktoje, FSHZH, mes të tjerash konfirmon si afat përfundimi muajin Shtator 2024, megjithatë nxjerr si problematikë vonesat në procesin e shpronësimit.

“Projekti është në fazë zbatimi dhe aktualisht po ecën me ritme të mira, pavarësisht vonesave të shkaktuara nga moslirimi i sheshit të ndërtimit për shkak të problemeve sociale me banorët, pronat e të cilëve preken nga projekti dhe vonesave në procesin e shpronësimeve, përgjegjësi e Njësive të Vetëqeverisjes Vendore. Moslejimi i qarkullimit të mjeteve të rënda në zonat turistike me fluks të shtuar ka çuar në pezullimin e punimeve gjatë sezonit veror, çka ka impaktuar gjithashtu realizimin e projektit.

Sa i përket punimeve të zbatimit, të cilat pritet të përfundojnë brenda muajit Shtator 2024, ju bëjmë me dije se është drejt përfundimit hapja e trasesë për të gjithë gjatësinë e rrugës, po punohet për ndërtimin e veprave të artit si: mure, box-e betonarme, tombino, si dhe po vijon puna për mbushjen e trasesë me material guror dhe çakull”.

Pamje nga aksi Shëngjin-Velipojë, mars 2024

Banorë të fshatit Rrjoll, pronarë të tokës ku po bëhet investimi thonë se janë të zhgënjyer me gjithë procesin e shpronësimit. Prek Molla shprehet i zhgënjyer për mungesën sipas tij të transparencës në lidhje me projektin dhe procesin e shpronësimit, për të cilin preket personalisht. 

“Në dokumentacionin e shpronësimit është futur ligji 7501, ndërsa ne jemi pronarë të vjetër dhe nuk kemi lidhje me atë ligj. Toka jonë është pyll, ndërsa ligji është i qartë ku përfshihen tokat arë të marra në përdorim nga pushteti komunist.” – thotë Prek Molla i cili shton se tashmë kjo çështje është në SPAK. 

Ekspertët për rrugën Shëngjin-Velipojë

Eksperti i pushtetit vendor Fatlum Nurja konsideron se projekti për ndërtimin e rrugës Shëngjin-Velipojë e që më pas synon të vijojë me ndërtimin e urës lidhëse më Ulqinin, do të rijetëzpjë Velipojën duke e kthyer në një qytezë me turizëm 12 mujor, por nga ana tjetër shmang Shkodrën si kryeqendër veriore.

“Ky projekt i jep peshë Velipojës, por ka pasoja për Shkodrën. Kjo do të këtë impaktin që ka sjellë investimi në rrugën e Kombit. Më parë njerëzit kur vinin deri në Bushat për të shkuar dhe në Pukë dhe Kukës ktheheshin në Shkodër. E njëjta gjë do ndodhë edhe në Velipojë ku vizitorët nuk do kthehen në Shkodër, por do shkojnë nga Lezha në Velipojë dhe me investimin që pritet në urën e cila lidh  Velipojën me Malin e zi do të kalojnë direkt në Ulqin pa patur nevojë të kalojnë në Shkodër. Velipoja do te jetë më e frekuentuar, do jetë një qytezë, kurse Shkodra do të vendoset mes dy akseve me aktivitet të lartë turistik si Kosova dhe Malin e Zi.” -thotë eksperti Nurja për Faktoje.

Ndërkohë eksperti i mjedisit Ervis Krymi rendit përfitimet nga projekti në fjalë. 

“Rruga që do të lidhë Shëngjinin_me Velipojën, është e pozicionuar në veri-perëndim të qytetit të Lezhës dhe portit të Shëngjinit. Pozita e favorshme gjeografike ku ndërthuren deti, laguna, fusha pjellore, dhe mali i japin kësaj zone një mundësi të madhe për zhvillimin e turizmit detar dhe malor, të peshkimit, të zhvillimit të kulturave të ndryshme bujqësore dhe të blegtorisë. 

Potenciali i zonës lidhet ngushtë edhe me pozicionin e saj gjeografik. Afërsia e saj me Malin e Zi, polin ekonomik Shkodër-Lezhë, me portin e Shëngjinit dhe me plazhin e Velipojës i japin kësaj zone prioritet për zhvillimin e ardhshëm turistik në këtë rajon. 

Kjo rrugë do të jetë fuqizimi i sektorit të turizmit që nxit zhvillimin ekonomik dhe cilësinë e jetesës së banorëve. Po ashtu zhvillimin e turizmit në zonat rurale dhe agro-turizmin.” – thotë Ersiv Krymi për Faktoje. 

Pak ditë më parë duke publikuar pamjet e punimeve për këtë rrugë, Kryeministri Edi Rama e quajti investim për një nga rrugët turistike më spektakolare të Mesdheut. Megjithatë ai u kujdes të mos jepte afate apo premtime të tipit, rruga do të përfundojë, por thekson se rruga do të bëhet e kalueshme.

“Mirëmëngjes dhe me kantierin e rrugës Shëngjin-Velipojë, e cila do të jetë së shpejti një nga rrugët turistike më spektakolare të Mesdheut falë peizazheve mahnitëse, një nga investimet kyç për çlirimin e mëtejshëm të potencialit fantastik të turizmit në veriun e vendit, ku puna po vijon pa u ndalur për ta bërë të kalueshme qysh në sezonin e ardhshëm veror, pas kapërcimit të një fragmenti të vështirë gjeologjik, ju uroj një të diel të mbarë”- shkruan Rama në postimin e datës 10 Mars.

C:\Users\MAKcomputers\Desktop\EETIMES\rama shengjin.PNG

Përfundim

Prej vitit 2018 kur u premtua se do të ndërtohej, rruga Shëngjin-Velipojë, një projekt me vlerë fillestare 3.8 miliardë lekë dhe e përdorur shpesh si kalë beteje politike mes dy kaheve, ende nuk ka përfunduar. Duke mbajtur në monitorim nëse rruga do të përfundojë në shtator 2024, premtimin e artikuluar në 2018-n do ta konsiderojmë ende të pambajtur.