Rikthime të bujshme, mungesa “big”, por dhe risi. Lista e parë e Sylvinho-s pas kualifikimin për në Evropian i kishte të gjitha. Trajneri i Kombëtares zbuloi 26 lojtarët e grumbulluar për dy takimet miqësore kundër Kilit dhe Suedisë. Ashtu siç pritej, Sylvinho riktheu në përfaqësuese dy “bomberat” kuqezi, Rey Manaj dhe Armando Broja. Risia e madhe në këtë listë është grumbullimi për herë të parë i Arbër Hoxhës, sulmuesi i cili aktivizohet te Dinamo Zagreb, por ra në sy edhe mungesa e Dakut dhe Mujës. Për të gjitha këto tema, Sylvinho është në këto momente live në konference për shtyp:

Mungesa e Dakut & Mujës dhe risia “Arbër Hoxha” – Sa i përket zgjedhjeve në sulm, është e vërtetë që ka shumë ‘dhimbje koke’, por që është shumë normale dhe që është e pranueshme për mua. Këtë herë nuk do të jenë me ne Daku, Muja dhe Gjasula. Janë lojtarë shumë të rëndësishëm, të cilët i kemi në konsideratë dhe janë në planet tona. Por ne duhet të provojmë sa më shumë lojtarë në këtë moment. Dakun, Mujën dhe Gjasulën i vlerësojmë, por ne nuk mund të marrim dot 30 lojtarë me vete në këto dy ndeshje, pasi duhet t’i japim mundësinë edhe lojtarëve të tjerë, t’i vëzhgojmë nga afër se çfarë kanë mundësi të bëjnë. Kemi Manaj, i cili vjen për herë të parë me mua në Kombëtare, Brojën, i cili vjen për herë të dytë me mua në Kombëtare. Herën e parë nuk kemi pasur mundësi ta provojmë sepse ai u detyrua të largohej i dëmtuar. Kemi marrë dhe Arbër Hoxhën, i cili është një lojtar shumë interesant. Kemi tre muaj që e vëzhgojmë nga afër, është një lojtar që luan në krahun e majtë, por këmbën e preferuar ka të djathtën. Kur të vijë këtu, do ta shohim nëse ai mund të luajë edhe në pozicione të tjera. Do t’i vëzhgojmë të gjithë.

Pak mesfushorë në këtë grumbullim, a mjaftojnë? Objektivi i skuadrës në këto dy miqësore? – Jam i kënaqur me ekuilibrin e skuadrës, qoftë në fazën ofensive, por edhe në atë difensive. Shqipëria ka mbyllur kualifikueset duke pasur një nga mbrojtjet më të mira të turneut. Mbrojtja nuk është thjesht reparti mbrojtës, por është e gjithë skuadra dhe jam i lumtur për ekuilibrin që kanë pasur lojtarët, sepse edhe mesfusha ka mbrojtur, edhe sulmi ka ndihmuar dhe sakrifikuar shumë për të mbrojtur. Dua të specifikoj diçka, kur themi vëzhgojmë lojtarët, ata nuk vëzhgohen vetëm në ndeshje, por në çdo moment, në çdo detaj në stërvitje, te kuadratet, te goditjet standarde. Pra është një proces që fillon që në momentin që lojtari vjen në grumbullim dhe në vazhdimësi. Nuk mund ta vëzhgoj një lojtar vetëm gjatë një ndeshje. Nuk i shohim ndeshjet si miqësore, nuk dua ta përdor si term. Për mua janë të gjitha ndeshje të rëndësishme. Kemi dy kundërshtarë shumë të fortë përballë, luajmë ndaj Kilit, një skuadër shumë e njohur, me lojtarë shumë të fortë. Ka një trajneri si Gareca që e njoh shumë mirë dhe janë mjaft teknikë. Kanë lojtarë si Sanchez, Diaz, Vargas apo Perez, i cili është një lojtar shumë interesant. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Suedinë, një skuadër shumë e fortë sidomos në aspektin individual. Kanë lojtarë të talentuar që luajnë me skuadra si M. United, Atalanta, Tottenham, Ëolfsburg. Janë një skuadër me elementë shumë të mirë. Ne duhet të provojmë ekipin tonë në këto dy ndeshje. Vështirësia sa vjen e rritet dhe ne duhet të bëjmë hapin përpara që të përshtatemi me nivelin sa më të lartë që na ofrojnë sfidat e ardhshme.

A do të vendosin këto sfida miqësore listën finale të futbollistëve për Europian? – Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme për fazën finale të Europianit, por jo vendimtare. Nuk duhet të harrojmë që ka një rrugëtim të çdo lojtari për të ardhur deri këtu. Të gjitha skuadrat kanë marrë nga 25-26 lojtarë dhe ndoshta dhe më shumë dhe ky është momenti që ne të provojmë sa më shumë elementë.

Sa e vështirë është për trajnerin të lërë jashtë lojtarë që kanë ndikuar në kualifikimin e Shqipërisë në Europian? – Sa i përket zgjedhjeve që stafi teknik duhet të bëjë për Europianin, është një situatë delikate, por preferojmë që këto ‘vuajtje’ t’i lëmë për në maj. Tani nuk e kemi mendjen te lista finale e muajit qershor. Ka një rrugëtim për çdo lojtar për të ardhur deri këtu, ndërkohë që ne kemi përpara dy ndeshje shumë të rëndësishme, ku duhet të vlerësojmë çdo futbollist dhe mënyrë lojë. Pas këtyre dy sfidave, në muajin prill e në vazhdim ne do të ulemi me stafin dhe do na duhet më vonë të marrim vendime. Për momentin nuk jam i fokusuar te lista e Europianit, por te puna dhe te dy ndeshjet me Kilin dhe Suedinë. Jam i pari që do zbres në fushë që nesër. Është shumë e rëndësishme që të ngremë nivelin tonë të lojës në çdo aspekt dhe të jemi të përgatitur sa më mirë.

Efekti që mund të sjellin lojtarët e rinj apo të rikthyer në Kombëtare – Raporti që kanë lojtarët në dhomat e zhveshjes është shumë i mirë dhe as që jam i shqetësuar për këtë aspekt. Nuk kam frikë për efektin që mund të kenë rikthimet apo hyrjet e reja në Kombëtare. Ata e dinë mirë që në Kombëtare çdokush e ka derën e hapur. Nuk është si klubi, që ka 24-25 lojtarë dhe duhet të vazhdojë përpara me këtë grup, derisa hapet merkato. Kemi rastin e Hoxhës psh., që është një lojtar që ne e kemi ndjekur prej tre muajve dhe ashtu sikurse Hoxhën, kemi edhe lojtarë të tjerë që i vëzhgojmë rregullisht dhe më pas marrim vendimet tona. Kombëtarja i ka dyert e hapura për të gjithë dhe të gjithë janë të ndërgjegjshëm për këtë.

Në rast humbje në sfidat miqësore, a rritet presioni? – Në futboll ka tre rezultate fitore, barazim dhe humbje. Ne nuk shkojmë kurrë për të marrë barazim, por për të fituar. Më kujtohet ndeshja me Moldavinë, kur të gjithë thonin ti do të shkosh atje dhe ne na duhet vetëm një pikë. Nuk funksionon kështu, objektivi jonë në një ndeshje është vetëm fitorja. Sa i përket mungesave dua ta theksoj, Ajeti dhe Ismajli nuk janë me ne sepse janë të dëmtuar. Ne kemi folur me lojtarët dhe nuk mund të rrezikojmë sepse ato kanë probleme fizike, ndërkohë ne do të kemi Kumbullën, Veselin, Mersinajn në pjesën mbrojtëse dhe janë lojtarë që do t’i vëzhgojmë të gjithë nga afër. Por nuk mendoj asgjë tjetër, vetëm të futemi në këto ndeshje për t’i fituar të dyja.

Duke qenë se keni marrë shumë sulmues, a do të provoni të ndryshoni modul? – Sa i përket provave apo ndryshimeve që mund të bëjë stafi teknik në këto dy ndeshje është momenti që të provojmë, por Kombëtarja nuk është se ka shumë kohë. Sigurisht në stërvitje ne do të provojmë shumë lojtarë dhe do të shohim ndonjë ndryshim eventual se ku lotjarët ndihen më mirë. Megjithatë nuk mendoj tani për ndonjë ndryshim moduli.

Rinovimi, keni folur me Presidentin Duka? – Kemi një raport shumë të mirë me Presidentin Duka, me Federatën dhe drejtuesit, po punojmë shumë për t’u përgatitur sa më mirë në finalet e Europiant. Do të kemi kundërshtarë shumë të vështirë në grup. Nuk jam aspak i shqetësuar për çështjen e kontratës dhe në momentin e duhur do të ulemi të flasim.