Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi është arrestuar me urdhër të SPAK. Shqiptarja.com e Report Tv mëson se arrestimi i tij u krye mbrëmjen e 13 marsit 2024, pasi akuzohet për pastrim parash dhe korrupsion pasiv. Berberi ka qenë deri dje në krye të detyrës ndërsa po në mbrëmje u njoftua dorëheqja e tij.
Me urdhër të SPAK janë arrestuar gjithashtu biznesmenët Valter Begaj, ish-ortak i Berberit, dhe Ervis Lame, po ashtu i lidhur me ish-kompanitë e kreut të ARRSH-së.
Dyshohet se Evis Berberi ortak në një kompani me Valter Begajn i ka dhënë tendera në kohën kur është emëruar drejtori i Eficencës në Energji.
PAK nisi javët e fundit hetim ndaj Berberit, për çështjen e shitjes së një kompanie në vitin 2018, dhe dyshohet për transferim fiktiv me qëllim që të shmangte konfliktin e interesit, pasi do të emërohej si këshilltar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Ndërkohë në banesë, gjatë kontrollit, Berberit i janë gjetur një sasi e konsiderueshme parash cash.
Ervis Lame rezulton të jetë administrator i kompanisë DAAM, kompani supervizimi punimesh, e cila aktualisht është në pronësi 100% të Valter Begajt. Më parë ka qenë në pronësi të Evis Berberi,. SPAK thotë se kemi të bëjmë me një shitje fiktive të kompanisë, pasi do të emërohej drejtor i Agjencisë së Eficiencës së Energjisë si dhe koordinator i projektit për punimet që u zhvilluan në Spitalin e Ri Rajonal Memorial në Fier, para se të bëhej drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar në qershor 2021.
Më pas pronarë të kësaj kompanie kanë qenë Brunilda Buli, Ervis Lami dhe së fundmi pronar 100 % i kësaj kompanie ësht Valter Begajt.
Berberi u emërua në krye të ARRSH në qershor të vitit 2021.