Brenda mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike ka pasur diskutime dhe debate pas vendimit për t’u ulur në bisedime me mazhorancën për normalizimin e jetës parlamentare.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka zbuluar para demokratëve të tjerë se ditën e premte ka pasur një ftesë nga kryeparlamentarja Nikolla për një takim informal me kryetarët e grupeve për t’i dhënë zgjidhje krizës parlamentare. Ai u shpreh se pas konsultimit me Berishën me Sekretarin e Përgjithshëm dhe me nënkryetarët e tjerë, u vendos pro pjesëmarrjes. Bardhi theksoi gjatë mbledhjes po ashtu se për këto negociata kanë ndërhyrë edhe ndërkombëtarët.

Nga ana tjetër deputeti Ervin Salianji është shprehur skeptik për këto bisedime me mazhorancën duke thënë se vendimi për bisedimet ose “negociatat” është dëmtues për Partinë Demokratike dhe për opozitën. Sipas tij perceptimi që do të krijohet është se opozita krijoi sherr për 5 muaj që në fund të ulet me kryeministrin Rama. Ai kritikoi këtë veprim të kolegëve të tij opozitarë duke thënë se është lëvizje e gabuar dhe me pasoja.

“Siç jeni njohur nga media, ditën e premte kam pasur një ftesë nga Lindita Nikolla për t’u takuar në mënyre informale me kryetarët e grupeve për t’i dhënë zgjidhje krizës parlamentare. Pasi jam konsultuar me kryetarin e partisë z.Berisha, me Sekretarin e Përgjithshëm dhe me nënkryetarët e tjerë, vendosëm të marrim pjesë. Për këto negociata kanë ndërhyrë edhe ndërkombëtarët, pasi ne kemi kërkuar, që ata të ndërhyjnë. Kemi rënë dakord që të ulemi për komisionet hetimore parlamentare dhe reformën zgjedhore, por nuk kemi asgjë në përmbajtje. Na kanë thirrur sot dhe do shkojmë.”, tha ai.