Analisti Neritan Sejamini deklaroi në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV se gazetarët e ndershëm po vihen nën presion për të mbyllur gojën, ose po largohen nga Shqipëria sepse ndihen të pafuqishëm. Ai e cilësoi të papranueshëm edhe qëndrimin e opozitës, që të sulmon kur e kritikon, duke imituar pushtetin.

“Qëllimi parësor i medias është t’i kërkojë llogari pushtetit. Që media ta bëjë duhet të ketë hapësirë. Kur një gazetar sulmohet, ulet besueshmëria dhe kur sheh ai mendon se a ia vlen kjo që bën. Ka shumë njerëz që tërhiqen, bëjnë autocensurë. Gazetarët e ndershëm po vihen nën presion për të mbyllur gojën, po largohen nga Shqipëria se ndihen të pafuqishëm. Imagjinoni sikur të shkosh në punë dhe vetëm pse ke bërë këtë punë të shajnë në gazetë.

Në Shqipëri një pjesë e madhe e mediave është e kapur nga pushteti. Ka disa ishuj për të thënë të vërtetat. Nëse edhe këto ishuj asgjësohen ne jemi një popull që i ka thënë mirupafshim të vërtetës.

Një gjë e papranueshme është qëndrimi i opozitës. Opozita kur është e pakënaqur fillon dhe sulmon. Nuk duhet të imitojë pushtetin. Ajo nevojë për median. Një ditë që e lavdëron të nxjerrin në faqe të parë dhe pastaj kur bën kritikë, të shajnë. Opozita që ka nevojë që gazetarët të hetojnë për pushtetin, duhet të durojë më shumë dhe t’i gëlltisë kritikat”-tha Sejamini.