Gazetari investigativ Artan Hoxha deklaroi shifra alarmante në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” për vdekjet e përdoruesve të drogës në Shqipëri. Ai tha se gjatë vitit 2023 kanë vdekur nga overdoza 540 njerëz dhe këtë informacion e mori te mjekët, sepse familjarët kujdesen që kur del autopsia të mos jetë që ka vdekur nga droga.

“Mora një statistikë, gjatë vitit të kaluar kanë vdekur nga overdoza, 540 veta. Ke mesatarisht, në dy ditë vdesin tre vetë. E kërkova te mjekët informacionin, sepse familjarët kujdesen që kur del autopsia të mos jetë që ka vdekur nga droga.

Pse po ta jap këtë shifër? E pranojmë të gjithë që droga në Shqipëri është një kancer. Jemi nën efektin e këtij tumori që ka kapur vendin.

Vdekjet po vinin për shkak të përdorimit të narkotikëve të rinj, drogave sintetike, nga përdorimi i narkotikëve që janë edhe shumë të lirë në treg, kanë efekt shkatërrues.

E kam parë në SHBA, vetëm vjet kanë vdekur 100 mijë njerëz.

Vitin e kaluar Shqipëria ka patur 34 të vrarë nga armët, të kesh këtë numër vdekjesh nga droga, ky nuk është thjesht një tumor, por ka shpërthyer me metastazat e tij.”-tha Hoxha.