kujto.al
NGA ARKIVAT
PROFILET E VIKTIMAVE
XHELATËT
BURGJE & KAMPE
NGJARJE
VIDEO
DËSHMI
RRETH FONDACIONIT
Kryefaqja Dëshmi Hajrie dhe Reshit Mulleti, nënë e bir, me gjithë botën kundër
Dëshmi
Hajrie dhe Reshit Mulleti, nënë e bir, me gjithë botën kundër
8 Mars, 2024 10:180199
hajrie mulleti
Jeta e pazakontë e Hajrie Mulletit, gruas së ish-prefektit të Tiranës dhe të birit, Reshitit që nuk panë një ditë të bardhë pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri. Torturat e hetuesisë, tmerret e Tepelenës, puna në bujqësi, jetesa në baraka … Por veç gjithë këtyre vuajtjeve që përbënin fatin e përbashkët të mijëra familjeve në diktaturë, Hajria dhe i biri, do të mbartnin edhe përndjekjen e talljes, që i shoqëroi gjithë jetën për shkak të komedisë “Prefekti”
Nga Fatbardha Saraçi Mulleti
Hajrie Kusi Mulleti
Hajrija lindi në Tiranë në familjen e z. Ismail Kusi, një familje me tradita atdhetare. Motra Lutfija dhe vëllezërit e saj kishin mbaruar universitetin. Hajrija u martua me z.Qazim Mulleti, në vitin 1929, në një ceremoni të organizuar në Vienë. Ata sollën në jetë djalin e tyre Reshitin, lindur në Tiranë, më 21 korrik 1930. Zj. Hajrie e rriti dhe edukoi të birin, i dhuroi shumë dashuri nëne, që është dashuri e pafund….
Qazimi ishte nolist dhe tashmë jetonte si emigrant në Europë, gjë që i kushtoi vite pritjeje Hajrijes. Ajo jetoi me shpresë se ndonjë ditë do të kthehej emigrant politik…. Jetonte dhe shpresonte. Për pak kohë Hajrija jetoi në familjen Mulleti, por më shumë te prindërit e saj. Nga viti 1924, kur qe fejuar, veç momentit të martesës, Hajrija do ndiente mungesën e gjatë të të shoqit, vetëm se tani kishte djalin e saj të vetëm. Prej vitit 1930, kur Qazimi ishte i detyruar të largohej sërish nga Shqipëria, deri më 1939, ajo përjetoi vite pritjeje të gjata. Nga koha e fejesës, ishin plot 14 vite që Hajrija mbante peshën e mallit, të largësisë.
Në vitin 1939, kur Reshiti mbushi nëntë vjeç, për familjen Mulleti nisi një jetë e re, duke u bashkuar përfundimisht në Tiranë. Por, nuk kaloi gjatë dhe erdhi diktatura. Nëna 36-vjeçare gjendet sërish e vetmuar, me djalin e saj. Tani jeta iu bë më brutale. Shpresa, vite pritjeje nuk kishin më vend. Familja Mulleti nxirret me force nga shtëpia. Qeveria e re komuniste i grabiti çdo gjë, çdo send e dhuratë e trashëguar nga familja. Qysh në vitet e para të ardhjes së regjimit komunist në pushtet, familja Mulleti provoi birucat e hetuesisë. U kërkonin me forcë të tregonin florinjtë!
Dhimbja e zonjës Hajrije është e parrëfyeshme. Hetuesit ia torturonin të birin minoren në prani të saj, për ta detyruar të fliste, të tregonte “pasurinë e florinjtë”. Presionet vazhdonin…
Hajria u dërgua, e detyruar, në punët më të rënda. Me shumë bashkëvuajtëse të tjera, ajo mbahej nën vëzhgim të pandërprerë, e të rreptë nga rojet e armatosur. Dhuna isha e pashoq. I grabitën pronën, ndërsa djalin e vogël e akuzonin për shkrime parrullash antikomuniste. Shkolla për Reshitin e vogël u bë një ferr. Ai keqtrajtohej nga nxënësit e tjerë, duke ardhur çdo ditë në shtëpi i gjakosur. Nënë e bir, jetonin vetëm, nën këtë dhunë e presion të vazhdueshëm. Derisa në vitin 1949 u shfaq për herë të parë komedia “Prefekti”, me regji të Besim Lëvonjës. Ky teatër ishte brutal, mizor ndaj familjes Mulleti.
Për këtë ngjarje tronditëse të familjes Mulleti, Reshiti ka rrëfyer përjetimin: – “Kur u shfaq për here të parë komedia “Prefekti”, unë me nënën time po e dëgjonim në shtëpi, në radio… Nëna ime u revoltua. Të nesërmen e premierës së komedisë “Prefekti”, sa dola nga shtëpia për në shkollë, të gjithë më shihnin të habitur e kuriozë. Në orën e rusishtes, mësuese Nina Potapovna bëri apelin e klasës, kur lexoi emrin tim: Reshit Qazim Mulleti, shtangu dhe pyeti: – Emër i vërtetë është ky?! (Sepse ajo kishte qenë në premieren e komedisë). Por nxënësit, të gjithë në kor, iu përgjigjën: Po, po ky është Shiti i komedisë ‘Prefekti’. Mësuesja u habit, u çudit!! Më afroi pranë vetes, më foli me shumë dashuri, më qëndroi pranë dhe iu duk shumë e padrejtë, si mund të përdoreshin emra realë, në një komedi!!
Të nesërmen erdhi kamioni e na mori, na dërguan në internim, në kampin e Tepelenës. Aty na mbajtën pesë vjet, deri në mbylljen e tij. Autori i komedisë “Prefekti”, Besim Levonja ishte liruar nga burgu me firmën e babait tim, që hyri garant për të.”
Nëna e bir u degdisën në kampet e vuajtjes. Ashtu siç rrëfeu Reshiti, pas ngjarjes së shfaqjes, të nesërmen, erdhi kamioni duke i dërguar përgjithmonë në internim. Vendosur në kampin famëkeq të Tepelenës, Hajrija me të birin do të përjetonin jo vetëm denigrimin, por edhe jetën çnjerëzore…Rrëfimi i Hajrijes për këtë kamp është një dëshmi e rrallë se si trajtoheshin gratë e persekutuara.
Hajrija ka rrëfyer: – “Jetonim në kapanone, qindra vetë, pa dallim gjinie. Era e murlanit, na bënte që të ftohtit të na hynte deri në palcë. Në atë kamp na përdorën me transportu dru, të ngarkuara si të jemi kafshë, të ruajtura nga policët dhe shpesh na futnin në ujin e lumit me orë, se gjoja keni hedhur drutë gjatë rrugës. Qëndronim në heshtje… Ecnim të ngarkuara me dru, trungje të gjatë e të trashë, të lidhur me litarë mbi kurrizin tonë, dërgonim nga mali për në Tepelenë për gratë e oficerëve. Gra dhe vajza shqiptare që torturoheshin, po nga shqiptarët.”
Vitet kalonin. Vëllai që shkonte ta shihte Hajrien në Tepelenë, Tuti u gjet i vdekur, i helmuar. Pjesëtarët e tjerë të familjes ikën njëri pas tjetrin, vdiqën. Ajo nuk i pa më, ndërsa të vëllain Abdullah Kusin ia kishin pushkatuar, qysh më 1945.
Nën këto tmerre të jetuara, dëshmia e djalit, Rushitit është tronditëse:
“Në këtë kamp kam varrosur me duart e mia më shumë se treqind njerëz, ku dyqind prej tyre kanë qenë fëmijë. Mbas dy-tre vitesh, me urdhër të komandës i kemi zhvarrosur përsëri, dhe i kemi varrosur në një vend tjetër…,përsëri zhvarrime deri sa varret humbën…eshtrat i merrte lumi. Punonim me zhvarrime të kufomave që ishin duke u dekompozuar, pa mjete mbrojtëse, nën tytën e rojeve të armatosura.
Po punoja me shokun tim, po hapnim varre, në një moment ai futet në varr dhe më thotë:- ‘Shiti ky varri qenka tamam për mua’. Ndodhi e papritura, nga infektimi të nesërmen, shoku im vdiq dhe u varros në varrin që kishte punuar me duart e tija.”
Kam kaluar tmerre të vërteta, – ka vazhduar rrëfimin Rushiti, kushte të këqija dhe trajtim çnjerëzor. “Kur shkuam për herë të parë në kamp, nëna Ije (d.m.th Hajrija) iu drejtua komandantit të kampit Gani Lamçe: “Mirë se ne kemi qenë familje e pasur, por çfarë kanë bërë fukarenjtë që i keni sjellë këtu?! Ju, komunistët thoni se jeni shtet i fukarasë, përse i mundoni këta të varfër?!”
Nënë e bir, vazhdonin të përplaseshin e të provokoheshin nga hetuesit.
Nga Tepelena, Hajrijen dhe Shitin i thirrën në Tiranë, në Degën e Punëve të Brendshme, ku i torturuan, duke përsëritur kërkesën e tyre, se ku i kishin fshehur florinjtë. Kjo ishte një tjetër torturë psikologjike më vete për Reshitin, i cili tregon dhunën çnjerëzore që hetuesia ushtronte mbi nënën e tij, por edhe atë vetë: – “Nënën e kanë torturuar shumë, ndërsa mua më fusnin në fuçi me ujë të ftohtë, shpesh ma zhytnin kokën në ujë. Presioni i tyre ishte si gjithnjë për florinjtë. Por, ne, nuk kishim florinj, pasi na kishin grabiturçdo gjë. Na kthyen përsëri në Tepelenë. Internimi vazhdonte.”
Sapo hapej një kamp i ri internimi, Hajrija dhe djali i saj, ishin të parët që i dërgonin, ku viheshin në punë të detyruar në përgatitjen e tyre. Pavarsisht moshës, Reshiti tregon se ai, me nënën e tij, kaluan gjithë jetën në punë të detyrueshme në bujqësi.
Ai rrëfen: “Nga Tepelena më pas në Fier e Lushnje, në kampet e internimit në Savër, Gradisht, Grabian. Çdo kamp të ri e kemi inaguruar, ishim të parët që dërgoheshim në kampin e ri të internimit, punonim në përgatitjen e tyre. Punë e lodhshme. Jetë në kapanone. Gjithë jetën punuan në bujqësi, çdo ditë dy-tri herë apel në ditë, me u paraqit në zyrën e operativit”. Mbetën punonjës të përjetshëm në bujqësi, i dërgonin ku ishin vendet me të largëta të punës, të ecjes me orë dhe paga qesharake. “Një herë morëm leje dhe dolëm në qytetin e Lushnjes. Në një moment nëna më thotë:- ‘Shiti dikush po na thërret.’ Më erdhi shumë keq, por u detyrova dhe i thashë:- Nënë lje nuk po na thërret njeri, por nga altoparlanti po jepet komedia “Prefekti”, po na qeshin, po na tallin, po na vënë në lojë, po argëtohen.” Ajo m’u përgjigj: ‘Na marrshin të keqen’. Dhe unë i thoja vetes, na morën të gjitha gjërat, na zhvatën, por na dëmtuan dhe imazhin tonë të mirë, tani ishim personazhe groteske, butaforike. Njerezit na identifikonin me personazhet e komedisë.”
Edhe dalja në qytet ishte një tmerr për ta. Njerëzit talleshin dhe i përbuznin.
Nënë e bir kaluan shumë vite në internim. Ndërsa nëna Hajrija u moshua, nga stresi dhe situatat psikologjike, ajo u godit nga arterio-skleroza.
Më 2 maj 1980, në Shkodër më erdhi një telegram, me tekstin: “Bardha, nanën e kam shumë të sëmurë. Të pres, Shiti.”
U nisa mënjëherë drejt Lushnjes, me tren. Eca në këmbë deri në Savër. Kampi i Savrës shtrihej në anë të majtë të rrugës automobilistike, 5 km larg qytetit, në mes të baltës, llucës dhe pluhurit të Myzeqesë. Këtu shtriheshin disa rreshta me kasolle, ku dërrasa, kashta dhe llamarina ishin materialet më të cilat ishin ndërtuar këto vende banimi për të internuar. Në një dhomë të tillë, pa dritare, në një shtrat qëndronte e shtrirë nëna Hajrije, pa ndjenja, kishte humbur lidhjet me realitetin. Ishte hera e parë që nuk më përgjigjej.
E dërguam në spital, me anë të një zetori, vendosur në rimorkion e tij. Ishim, unë, Shiti dhe z. Belishova, të cilit, në këtë kohëi kishte ardhur një telegram nga Amerika, ku e lajmëronin se babai i tij, z.Hajro kishte ndërruar jetë. Një mjeke e re e përcaktoi diagnozën: “Hemoragji cerebrale e plotë, pa shpresë me dy ose gjashtë ditë jetë.
Më mirë merreni në shtëpi.-Si quhet e sëmura?!- pyeti mjekja, për t’i regjistruar emrin.
-Hajrije Mulleti – iu përgjigja.
Mjekja tha:- “Kush e di ç’jetë të bukur ka bërë kjo grua?!”
Iu përgjigja:- “Jetën që ka bërë kjo nënë, nuk do t’ja dëshiroja asnjë gruaje në Shqipëri apo në botë.”
U kthyem përsëri me të sëmurën në kasolle. Siç na lajmëroi mjekja, po prisnim me ankth e dhimbje të thellë, se kur do t’i ndalej zemra e asaj nëne, e cila po luftonte me jetën, e kalonte orët e saj të fundit.
Më ka mbetur në kujtesë një trup i vogël, çuditërisht i bukur, i pastër, i bardhë, si alabastër.
Jeta për të qe vetëm luftë. Për shkak të humbjes së kujtesës, në mendjen e saj kishin mbetur të zgjuara vetëm dy zona, sidomos kur e pyesnin ku je? Dhe, ajo përgjigjej: – “Jam tek shtëpia e babait tim, në oborrin me diell e plot lule, në dhomat e mëdha ku shndrisnin jorganët e bardhë të atllasit.”
Kur vazhdonim bisedën, e pyesnim më tej, se cilën adresë mban mend, ajo përgjigjej se kujtonte Vienën dhe adresën e apartamentit në kohën e martesës së saj të shkurtër, atje.
Ajo vdiq më 6 maj 1980. Vdiq në barakën prej dërrase e llamarinë, në mes të baltës së Myzeqesë.
Por, mendja e saj mbante ndriçuar qytetin e lindjes, Tiranën, që nuk u lejua, sa qe gjallë, për më shumë se tridhjet vjet.
Ndërroi jetë një nënë, me zemrën plagë, që po linte djalin e saj të vetëm pa të ardhme. Vdekja ndau
për herë të parë nënën nga biri i saj. Reshiti vajtonte pranë saj, nën zë: – “Ia ke kaluar Hekubës së lashtësisë, o nana ime, e shtrenjta ime dhe pesëdhjetë vjet vuajtje, ku po më lë mua, të vetëm, pa njeri në këtë botë. Asnjëherë nuk deshe lehtësira dhe nuk pranove ta ndaje ligjërisht nga kurora babain. Fotografinë e tij e mbajti përherë në dhomën (barakën) e saj edhe pse I bënin presione, ajo nuk u përkul.”
Zemra ime vuante dhe shpirti më dhimbte. Ata, nanë e bir, nuk ishin ndarë asnjëherë, ishin shumë të lidhur, provuan vetëm vuajtje, dhimbje dhe tallje të pafund. Një kalvar i pambarim dhune e vuajtjesh.
Hajrijen e varrosëm në Lushnje, por ndodhi diçka e papritur. Absurditete dhe ironi, që vetëm në atë kohë ndodhnin. Ajo qëlloi të varrosej pranë një oficeri që porsa kishte vdekur. Kur djali i oficerit pa se cili i vdekur ishte pranë të atit, ai protestoi. Nisi të shante, sepse nuk i dukej e drejtë që babai i tij, një oficer i nderuar i ushtrisë, të ishte pranë një gruaje të deklasuar, të një gruaje armike…Djali ulërinte pse i ati ishte pranë gruas së Qazim Mulletit.
Ne, që ndodheshim në funeral, shtangëm, nuk folëm, deri ku kishte arritur indoktrinimi, racizmi komunist shqiptar! Me këtë pseudoimazh vdiq Hajrija, duke u përgojuar, e bërë objekt të argëtimit brutal me anë të komedisë “Prefekti”, që vazhdon ende të shfaqet pafund në ekrane, në skenën shqiptare… Vazhdon për ironi, me bufatorinë e emrave realë?!
Shënim: Marrë nga libri “Përndjekja e Hajrie Mulletit-Stigma e një komedie”, i autores Fatbardha Saraçi Mulleti, botim i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Tiranë 2022. Autorja sjell në këtë libër veç materialeve nga dosja e Hajrie Mulletit, e cila survejohej nga Sigurimi edhe kujtime dhe dëshmi si e afërme e familjes.