Për ligjin e Zonave të Mbrojtura që u miratua në Kuvend më 22 shkurt, kryeministri Edi Rama u shpreh se synohet që rritja e numrit të turistëve të konvertohet edhe në rritje të të ardhurave.

Sa i takon akuzave nga opozita se me këtë ligj preken zonat e Mbrojtura dhe përfitojnë njerëz të afërt të Ramës, kreu i qeverisë tha se askush nuk mund t’i japë leksione PS për atë çfarë është bërë në 10 vite për rikthimin në jetë të monumenteve të trashëgimisë kulturore.

“Temë që e kam shumë për zemër dhe që më bën të qesh shumë sepse çfarë është bërë në Shqipëri në këto 10 vite për të rikthyer në jetë monumentet e trashëgimisë kulturore, bën që unë të them se askush nuk ka gojë të na japë ne leksione për çështjen e qasjes ndaj mjedisit apo trashëgimisë kulturore.

Ne kemi vënë në mbrojte zona të tëra. Jemi para një sfide që është sfida e shekullit që është çfarë presim ne nga turizmi. Numri i madh i turistëve dhe kjo rritje marramendëse është shumë e mirë por shumë e rrezikshme, këtë e tregon historia e shumë vendeve që kanë kaluar nëpër këto faza. Nuk duhet synuar vetëm rritja e numrave por edhe rritja e të ardhurave nga ajo që sjell çdo turist”- u shpreh kryeministri.