Kryebashkiakë të opozitës, të cilët merrnin pjesë në mbledhjen me kryeministrin Edi Rama dhe ministra të kabinetit qeveritar, vlerësuan se në këtë takim është folur për problemet me të cilat ndeshen qytetarët, mënyrat e zgjidhjes së tyre, dhe se për zgjidhjen e tyre nuk duhen parë ngjyrat politike.

Kryebashkiaku i Fushë- Arrëzit, Hil Curri, në përfundim të mbledhjes, në një prononcim për mediat, u shpreh se asnjë nuk e ka parë takimin në aspektin politik sepse, sipas tij, problematikat e qytetarëve janë më të rëndësishme.

“Nuk e pamë takimin në aspektin politik sepse problemet e qytetarëve janë më të rëndësishme. Diskutuam, sepse bashkitë e vogla kanë paga më të ulëta, shpërndarje buxheti në bazë të numrit të popullsisë, gjë që nuk i favorizon. Ne jemi përfaqësues të qytetarëve dhe duhet të jemi kur kryeministri dhe ministrat na kërkojnë për takime”, tha Curri.

I pyetur për deklaratën e kryeministrit mbi shpërblimet që do kenë bashkitë me performancën më të mirë, Curri tha se një rezultat i tillë mund të arrihet vetëm nga bashkitë e mëdha dhe jo të voglat.

Sipas tij, në bashkitë e vogla që drejtojnë krye-bashkiakët e opozitës, kanë mungesa të buxhetit, ndërsa të mëdhatë, kanë teprica.

“Paraqitjen më të mirë e kanë dhe do ta kenë bashkitë e mëdha. Nëse shpërndarja do jetë ndryshe, nëpërmjet riskut që ka një bashki, do të ndryshojnë treguesit e paraqitjes. Ka bashki që kanë teprica në buxheti, kurse ne jemi me mungesa”, përfundoi Curri.