“Kemi hyrë në një fazë ku do shohim se shqiptarët që do ikin, do jenë më pak sesa ata që kthehen”. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama teksa foli për çështjen e emigracionit të shqiptarëve.

Ai tha se qeveria po bën përpjekje që të krijohen kushtet që personat që e kanë dëshirën të jetojnë këtu, të mund të jetojnë, por theksoi se problemi i emigracionit nuk është vetëm çështje e qeverisë.

“Me shqiptarët që ikin duhet të mësohemi sepse është botë e hapur, nuk jemi më në bunkier. Shqiptarët janë qenie kurajoze, dinamike që duan të shohin lart e më lart. Këto duhet të na bëjnë të kuptojmë se nuk është cështje qeverie, si do i ndalojmë ne të ikim. Ne nuk jemi këtu të ndalojmë njerëz të ikin por jemi për të krijuar kushte që kush dëshiron të rrijë të mund të rrijë, kurse dikush që do të krijojë jetën diku tjetër si mund ta ndalojmë të ikë”- tha Rama.