Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ka mbajtur fjalë në Kuvend duke uruar 7 marsin për të gjithë mësuesit, ndërsa i është drejtuar me një mesazh opozitës. Spiropali u tha deputetëve të opozitës se ka ardhur koha të gjejnë dy fjalë të përbashkëta dhe i ftoi ata të shkojnë në Konferencën e Kryetarëve dhe në Komisionin e Reformës Zgjedhore.
“Është hera e parë që e marr fjalën në këto 4 muajt të këtij teatri dhe cirku, dua t’u them diçka shumë miqësisht. Sot është 7 marsi, vetëm një koment….Desha të bëj një urim për të gjithë mësuesit e Shqipërisë. Mësuesit na kanë mësuar se kur flet dikush nuk ia marrin fjalën të tjerët, nuk bëhet zhurmë, nuk ka bilbila. Ka ardhur koha të gjejmë dy fjalë të përbashkëta. Ejani në Konferencën e Kryetarëve, ejani në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe mos e merrni peng këtë ditë. Ju të gjithë fëmijëve të Shqipërisë po u jepni shembull të gabuar. Jemi afër për të diskutuar, partinë e bashkuat, jeni gjallë dhe në dritë të vërtetë, vazhdoni ecni përpara. Gëzuar 7 marsin të gjithë mësuesve dhe 8 marsin të gjithë grave këtu, sepse nuk do të shihemi nesër”, tha Spiropali.