Një atentat me armë zjarri ka tronditur mëngjesin e sotëm fshatin Rrile të Lezhës. Nga të shtënat ka mbetur i plagosur 54-vjeçari, Agron Puka. Ai qëllua me breshëri plumbash para shkollës së fshatit menjëherë pasi la fëmijët.

Një nga dëshmitarët, tha për mediat se të shtënat e automatikut u dëgjuan si në trazirat e viteve 97. Dëshmitari gjithashtu ka rrëfyer se shënjestra e atentati është njeri i rregullt e familjar.

“Normal që janë frikësuar fëmijët. Ishte automatiku si me qenë në ’97 këtu. Ky djali që e kanë plagosur është njeri i rregullt, familjar. Si ndihen fëmijët të tmerruar. I morëm nga shkolla. Jo këtu nuk kanë ndodhur, Rrila është vend i qetë. Unë jam le e rritur më të!” tha dëshmitari.

Ndërkohë të tronditur nga ngjarja, fëmijët dhe mësuesit kanë bojkotuar mësimin në shkollën 9-vjeçare “Marash Gjoni” në Rrilë, pasi nga të shtënat janë rrezikuar edhe ata.

Ndërkohë pista kryesore e hetimeve për plagosjen e Agron Pukës në fshatin Rrilë të Lezhës, janë konfliktet e pak ditëve më parë mes tij dhe disa personave. Burime bëjnë me dije se Agron Puka ishte përfshirë në një konflikt dy ditë më parë në qytetin e Lezhës. 54-vjeçari, bashkë me dikë tjetër, kishin goditur me sende të forta një person.