Paraqitja e atletit të talentuar shkodran Franko Burraj në Kampionatin Botëror të sallave të mbyllura i zhvilluar në Skoci ishte ndër më të mirat e atletikës shqiptare, pasi për herë të parë një atlet shqiptar mashkull arrin të kualifikohet në turin gjysëmfinal të botërorit. Pas kthimit nga Skocia, Burraj përcjell në mikrofonin e RTSH Shkodra, emocionet e pjesëmarrjes në botëror.

I shoqëruar në këtë botëror nga trajneri i tij Bruno Rrotani, Franko konkuroi në garën e vrapimit 400 metra duke regjistruar kohën 46 sekonda dhe 86 të qindta, duke qëndruar vetëm 3 të qindtat larg rekordit kombëtar që mbahet po prej tij.

Pas kthimit nga Skocia, dyshja Burraj-Rrotani kanë nisur menjëherë nga përgatitjet pasi shumë shpejt do të jenë konkurues në gara të tjera të rëndësishme ndërkombëtare, si Kampionati Ballkanik dhe ai Europian.