Për të mbajtur profesionistët në punë edhe në njësitë vendore larg qendrave urbane, qeveria po parashikon të rrisë pagat e punonjësve të bashkive. Ministri Arbjan Mazniku tha në Klan News me gazetarin Besard Jacaj, se do të ngrihet edhe një akademi për trajnimin e tyre.

“Jemi në fazën e bërjes së një analize të detajuar për të bërë rishikimin e pagave të bashkive në të gjithë nivelin, në mënyrë që të kemi mundësi që dhe ashtu siç është bërë me pagat e administratës publike dhe gjithë funksioneve publike, gjatë 2 viteve të fundit të kemi mundësi që edhe bashkitë të bëhen përfituese të një rritje të nivelit të pagave në të gjithë Shqipërinë. Që të kenë mundësi edhe ata që të jenë në nivel kompetitiv në raport me tregun, për funksionet specifike profesionale. Jemi duke punuar tashmë bashkë me mbështetjen e qeverisë zvicerane për të krijuar një akademi të trajnimit të stafeve teknike të bashkive, për detyra që kanë të bëjnë me financën, urbanistikën, taksën, planifikimet e investimeve ekonomike”

Viti 2022 u mbyll me katër bashki në vështirësi të madhe financiare. Po nga analiza e vitit 2023 a njësi vendore në rrezik falimenti?

“Jo, nuk kemi bashki në situatë falimentimi. Vora dhe Kavaja janë në situatë vështirësie financiare, por nuk janë në situatë falimentimi”.

Ndarja aktuale në 61 bashki dhe 12 qarqe është kundërshtuar fort nga opozita. I pyetur nëse do të ketë ndarje të re territorial, Mazniku nuk e vë rëndësinë tek numri.

“Pra a mundet bashkitë të kenë më shumë rol në arsim, në shëndetësi, bujqësi, shërbime sociale. A munden bashkitë të kenë më shumë rol? A mund t’i japim më shumë mjete që ta bëjnë siç duhet rolin që kanë sot dhe a mund të bëjnë më shumë? Duhet të bëjmë një analizë nisur nga teknikaliteti dhe kapaciteti i bashkive për t’i bërë këto punë, jo nga diskutimi a na duan më pak a na duan më shumë, sepse ky nuk është qëllim në vetvete.”

Socialistët duan që veç pushtetit vendor, të forcojnë edhe rolin e Prefektit.

“Prefekti sipas ligjit të ri bëhet drejtuesi i një komisioni të përbashkët mes institucioneve qendrore të decentralizuara dhe pushteti vendor të territorit, për të krijuar Komisionin e Sigurisë Publike, që merret me mbulimin e çështjeve tërësore të sigurisë publike. Që nuk ka të bëjë thjeshtë me policimin, po ka të bëjë dhe me sigurinë ndaj mjedisit, sigurinë publike, në një pamje më të gjerë, që përfshin dhe çështje sociale, e ekonomike”.

Ministri i Shtetit për Pushtetin vendor dha edhe një përgjigje për drejtimin e Bashkisë Himarë.

“Detyra jonë në raport me këtë çështje është të zbatojmë ligjin. Të zbatojmë vendimet e gjykatave dhe të zbatojmë ligjin”.

Klan News