Hedhja e inerteve jo në vende të caktuara konsiderohet si krim mjedisor pasi pasojat janë të rënda në mjedis. Një zonë problematike mbetet ajo në rrugën Tepe-Ajasëm. Kjo zonë po përdoret për depozitim të inerteve të ndryshme të dala nga punime apo rikonstruksione objektesh.

Edhe pse në disa raste ka patur premtime se personat që ndotin ambjentin duke hedhur inerte do të ndëshkohen me masa administrative gjobë, sporadike kanë qenë rastet kur personat e papërgjegjshëm janë përballur me ligjin. Ndërkohë aksionet e Bashkisë gjatë kësaj kohe nuk kanë munguar për pastrimin e hotspoteve dhe vendgrumbullimeve ilegale të mbetjeve të ndryshme të krijuara prej kohësh, kryesisht në zonat periferike dhe në njësitë administrative . Bashkia Shkodër gjithashtu i bën thirrje banorëve dhe bizneseve të zonës, të mbajnë pastër ambientin ku ata jetojnë dhe banojnë, duke hedhur mbetjet vetëm në pikat e miratuara nga Bashkia.

Kjo rrugë e cila ndodhet nën mbretërinë e këtyre inerteve është shumë e rëndësishme për lehtësimin e trafikut në qytet, si dhe lidh me njëra-tjetrën dy lagjet më të vjetra të Shkodrës , Ajasmën me Tepen.