Nga Endri Çinari

Arlind Kalaja, sulmuesi shkodran ndërroi ekip në merkaton që lamë pas. Lojtari i dalë nga akademia Vllaznia, iu bashkua në janar, ekipit të njohur grek, Panionios. Një lëvizje kjo e papritur nga shumë kush, ku tashmë 28-vjeçari po shijon eksperiencën e futbollit në vendin fqinj.

Menjëherë ish-futbollisti kuqeblu është shndërruar në protagonist me Panionis. Jo vetëm që është prezantuar si titullar i skuadrës që nga fundi i janarit, ai ka spikatur edhe me lojën e tij. Ish-sulmuesi edhe i Kukësit në vendin tonë ka arritur të asistojë dhe po ashtu shënojë me ekipin e ri.

Kjo vetëm në 4 ndeshje, ku tashmë Kalaja është shndërruar në një idhull të tifozerisë. Dhe forma duke optimale për Kalajen, që tashmë ka gjetur ritmin e duhur në futbollin grek. Kujtojmë që Kalaja është një prodhim i akademisë Vllaznia dhe ku ka luajtur edhe me ekipin e parë. Me të cilin ka fituar edhe kupën e Shqipërisë.

Në vendin tonë gjithashtu ai është aktivizuar me Kukësin, Teutën dhe Kastriotin. Po ashtu Kalaja ka pasur një aventurë për një sezon e gjysmë në Suedi. Tashmë ai është pjesë e futbollit grek duke mbrojtur ngjyrat kuqeblu të Panionis.