Ky është momenti i atentatit ndaj Selami Brahimi mbrëmjen e së mërkurës, për të cilën Policia e Shkodrës identifikoi autorin 68-vjeçar, Sulejman Kapllani.

Ky i fundit menjëherë pas ngjarjes ishte larguar drejt Berlinit, aty ku në koordinim me Interpol Tiranën u vu në pranga.

Në videon e siguruar nga Tv Klan siç mund të shihni Selami Brahimi sa po futet në automjetin e tij tip Citroen kur qëllohet disa herë me automatik.

Në përpjekje për t’i shpëtuar breshërisë, 60-vjeçari mundohet të largohet dhe në ikje e sipër njëri nga plumbat e kap në fytyrë.

Siç mund të shihni ngjarja është regjistruar në një orar dhe vend ku ka lëvizje qytetarësh, të cilët fatmirësisht i kanë shpëtuar breshërisë së plumbave.

Pasi nuk ka mundur të vrasë Selami Brahimin, fillimisht autori është larguar në këmbë dhe disa metra më tutje ka marrë automjetin e tij tip Skoda që shihni dhe në këtë foto.

Lëvizjet e tij me këtë makinë janë fiksuar nga kamerat e sigurisë në rrugët ku ka kaluar, çka ka ndihmuar hetuesit në gjetjen e mjetit, armës së krimit dhe identifikimit të autorit të dyshuar.

Mes tij dhe 60-vjeçarit, Brahimi dyshohet të ketë patur një konflikt në të shkuarën për të cilën i plagosuri ka refuzuar të flasë përpara hetuesve.

Tv Klan