Tre mandatet qeverisëse nuk ia lanë ulur aspak ritmin socialistëve për të aspiruar edhe një të katërt në 2025-ën. Rifreskimi i strukturave të partisë është paralajmëruar që në dhjetor të 2023-shit nga kryesocialisti Edi Rama, me synimin që viti zgjedhor t’i gjejë gati.
E mbi këto objektiva, të dielën është thirrur edhe asambleja e Partisë Socialiste. Mbi 300 anëtarë të Asamblesë janë njoftuar përmes një mesazhi se punimet do të mbahen më 11 shkurt në orën 10.30.
Sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, është kujdesur t’i kujtojë anëtarëve të Asamblesë, se pjesëmarrja në këtë mbledhje është e detyrueshme, dhe se mungesat do të konsiderohen të pajustifikuara.