Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, thotë se përplasjet e tij me kryeministrin Edi Rama kanë nisur herët, ndërsa akuzon zëvendëskryeministren aktuale Belinda Balluku se përhapi konspiracionin se ia çoi dosjen Ilir Metës dhe ambasadës amerikane.

“Po qe se do të bëhet një hetim i vërtetë i vërtetë i inceneratorit të Tiranës, shqiptarët nuk do të habiten, por do të llahtarisen se deri ku do të shkojë. Sigurisht që SPAK-u nuk e bën këtë. Unë thashë “ndiq paranë”. Po të hetohet Tirana, do të shkojë shumë lart.

Pse nisi përplasja? Goditja ndaj meje ka filluar herët. Unë kam pasur përplasjet e mia me kryeministrin. Disa serioze, disa politike, aq sa kuptohet e lejon të qenit i sjellshëm dhe rigoroz. Teoria e konspiracionit që unë kam dorëzuar dosjen tek Ilir Meta dhe ambasada amerikane është furnizuar nga Erion Veliaj dhe Belinda Balluku dhe unë nuk e besoj që Edi Rama e ka besuar sepse është më i zgjuar se kaq. Këtë e ka besuar Lefter Koka dhe Mirel Mërtiri.

Dosja është hetuar nga KLSH dhe kjo u përdor si justifikim për të gjetur kokën e turkut. Unë nuk e besoj se Edi Rama e ka besuar këtë, por e ka përdorur këtë për t’i vënë tapë çështjes së inceneratorëve. Po të zbërthehet një nga nyjet e procedurës praktikisht nuk ka më pazëll për inceneratorin e Tiranës. Në shkurt të 2022, gjithë histeria e kësaj teorie të konspiracionit solli atë që praktikisht isha i bindur që marrëdhënia ime me kryeministrin kishte mbaruar. I kam kërkuar të largohem në shkurt 2022 dhe i kam kërkuar përballë që marrëdhënia jonë është përmbysur”, tha ai për gazetarin Çim Peka.