Ftesa e Suelës, një gruaje që i ka mbijetuar dhunës, torturave, keqtrajtimit, jetës në rrugë duke qenë nënë e dy fëmijëve i drejtohet dorës që i ofroi ndihmë 6 vite më parë. Gjatë “Ka Një Mesazh Për Ty” ajo rrëfeu se drita e saj e gjelbër në fund të tunelit ishte Luljeta Alibali e cila punon në një qendër për gratë e dhunuara.
Luljeta e ka pranuar ftesën e Suelës e cila i ka kushtuar një falenderim të veçantë për të gjithë kohën që ajo i është gjendur pranë. Përtej këtij momenti të bukur, Luljeta ndan një mesazh të rëndësishëm në rubrikën e programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan.
Luljeta: Në punën tonë, rastet te qendra jonë janë raste të vështira, jo vetëm nga ana ekonomike, por edhe ngarkesat e historisë së rasteve janë tortura, më mirë të themi. Gratë tolerojnë shumë, falin shumë me shpresën e ndryshimit dhe te ne vijnë raste që janë edhe mbi 10 vite. Durojnë, durojnë, durojnë, me shpresën e ndryshimit, me shpresën se mund t’ia vlejë pritja por derisa arrin një moment që gjejnë një motiv e largohen. Motivi kryesor i grave që sot mbështesim ne janë fëmijët. Ndoshta deri dje kanë thënë për hatër të fëmijëve duhet të rri, sot thonë që për hatër të fëmijëve nuk duhet të rri në një ambient të dhunshëm.
Ardit Gjebrea: Sa raste mund të keni kaluar ju gjatë gjithë jetës tuaj në qendrën tuaj?
Luljeta: Unë kam 22 vjet që jam te qendra e gruas “Hapat e Lehtë” dhe janë 2800 raste që kalojnë te ne. Është për të të ardhur keq, por realja është kjo. Janë 7-8 rste në muaj të reja.
Ardit Gjebrea: Të reja, pra 7-8 raste që flasin.
Luljeta: Që flasin dhe me këtë dua të them që në këto rastet që janë të shumta në fakt, nuk tregon që është rritur dhuna, por është rritur ndërgjegjësimi i grave. Ato tashmë e kanë kuptuar që dhuna nuk ka justifikim dhe nuk duhet të durojnë kryesisht për hatër të fëmijëve.
Por nuk mbaron me kaq. Veç përqafimit nga Suela, Luljeta surprizohet edhe nga Aurora. Ajo e ka publikuar dikur rastin e saj dhe ka qenë një prej personave që ka marrë ndihmë nga Luljeta. Sot Aurora i është bashkuar ftesës së Suelës për ta surprizuar në studio. Ajo ka ardhur posaçërisht nga Italia për t’i dhuruar një buqetë me lule, librin e saj dhe një përqafim zemre.