Autoriteti Rrugor Shqiptar bëri të ditur se sipas informacioneve meteorologjike, duke filluar nga nesër, 20 janar i gjithë vendi do të pësojë rënie të temperaturave që në zonat veriore dhe verilindore do të shoqërohen me reshje të dendura dëbore dhe erë.
Nisur nga këto parashikime, sipas ARRSH-së, kontraktorët e mirëmbajtjes kanë marrë masat për përballimin e situatës në terren dhe për të siguruar qarkullim normal. ARRSH përcolli dhe disa këshilla për drejtuesit e mjeteve me qëllim sigurinë në rrugë.
“Rekomandojmë të shmangen lëvizjet e panevojshme në zonat me temperatura shumë të ulëta, të qarkullohet vetëm me goma dimërore që mos të shkaktojnë bllokim të rrugës duke penguar edhe punën e borëpastrueseve si dhe të ndiqen udhëzimet e Policisë Rrugore”, u shpreh ARRSH në rrjetet sociale.