Gjykata e Apelit të Posaçëm vendosi të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme për sekuestrimin e pajisjeve elektronike të gazetarit Elton Qyno. Avokati i Qynos, Dorian Matlija thotë se gjykata ka marrë një vendim në kundërshtim me standardet e vendosura nga gjykata e Lartë dhe ajo e Strasburgut.
Avokati tha se do t’i drejtohet Gjykatës së Lartë me rekurs. Avokati Matlia paralajmëroi nisjen e procedurës së kërkesave për procedim disiplinore pranë ILD ndaj dy gjyqtareve, Zeqiraj dhe Shirka.
Njoftimi i Apelit:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Daniela Shirka, sot më 06.01.2024, ora 14:00, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 195 akti, datë 29.12.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankuesit E.Q., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 501, datë 13.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për lejim sekuestroje…”, dhe vendosi:
1. Miratimin e vendimit nr. 501, datë 13.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
2. Ndalimin e publikimit të këtij vendimi në referim të nenit 103 të K.Pr.Penale.
Më 13 dhjetor 2023, për rreth 9 orë, Elton Qyno u mor në pyetje dhe u raportua se iu kërkua të tregonte burimin e informacioneve të cilat i kishte publikuar në media lidhur me Nuredin Dumanin. Atij i janë sekuestruar dhe telefonat dhe kompjuterat e materiale të tjera.