Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” kujtoi, kohë më parë, poetin lirik, eseistin, publicistin dhe botuesin Frederik Rreshpja (19 korrik 1940-17 shkurt 2006). Pena e tij është ndër më përfaqësueset e vargut shqip.

Frederik Rreshpja u lind në Shkodër më 1940 në një familje me origjinë nga Dukagjini. Kreu në vendlindje shkollimin fillor dhe të mesëm pranë gjimnazit “29 Nëntori”. Studimet universitare i ndoqi pranë Pedagogjikut në Tiranë me korrespondencë.

Më 1967 iu botua vepra e parë letrare, përmbledhja me poezi “Rapsodi shqiptare”. Më 1975 vepra e tij u hoq nga qarkullimi me urdhrin e një qarkoreje të Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës.

U arrestua dhe u dënua “…si një person që paraqet rrezikshmëri shoqërore që synon në minimin, dobësimin dhe përmbysjen e pushtetit popullor…”.

Frederik Rreshpja vuajti 17 vjet burg. Pasi doli nga burgu, botoi vëllimet “Erdhi ora të vdes përsëri” – 1994, “Lirika të zgjedhura” – 1996, përmbledhje kjo që u shpall më e mira për vitin përkatës, si dhe vëllimin me poezi “Në vetmi” që u botua në vitin 2004, i cili i solli titullin “Poet i vitit 2004”. U përfshi në vëllimin “Historia e Letërsisë Shqiptare” e Robert Elsiet të 2003.

Frederik Rreshpja përfaqësohet me disa poezi në “Antologjinë e poezisë shqiptare” të Aleksandër Zotos (1998) dhe në “Antologjinë e poezisë shqipe”.

Frederik Rreshpja jetonte në Tiranë, i vetëm. Vdiq më 17 shkurt 2006 në Shkodër, nga një sëmundje e zemrës, i rrethuar nga vëllezërit dhe familja e gjerë dhe u varros më 18 shkurt, në varrezat katolike “Rrëmaj” të Shkodrës./ATSH