Ditën e nesërme do të mbushen plot 10 vjet nga aksidenti i rëndë që piloti 7 herë kampion bote i Formula 1, Michael Schumacher, pësoi teksa ishte duke bërë ski.

Më 29 dhjetor të vitit 2013, Schumacher u rrëzua ndërsa kalonte një zonë të pasiguruar jashtë pistes së skive dhe goditi kokën në një gur, duke marrë dëmtime të rënda që e futën në një koma. Që prej asaj dite, nuk dihet thuajse asgjë për yllin e garave me makina, pasi familja e tij ka qenë shumë e rezervuar.

Megjithatë, mediat gjermanë kanë zbuluar tashmë disa informacione të reja. “Bild” raporton se Schumacher është futur në një makinë “Mercedes”, me qëllim për të stimuluar trurin e tij me tinguj të njohur. Nga ana tjetër, është zbuluar gjithashtu se deri në 15 mjekë, masazhatorë dhe asistentë janë pjesë e ekipit të tij për t’i ofruar atij kujdesin më të mirë 24 orë në ditë.

Gruaja e Schumacher, Corinna ka rregulla strikte se kush mund të vizitojë legjendën e Formula 1 në shtëpinë e tyre të kujdesit. Kjo listë përfshin miqtë e ngushtë Jean Todt, ish-drejtor i ekipit të Schumacher në Ferrari dhe Luca Badoer, një ish-pilot testues për Scuderinë italiane, gjatë viteve të lavdisë së gjermanit.

Megjithatë, tifozët do duhet të presin publikimin e një dokumentari të rrallë, i cili fillon sot, ku shfaqen për herë të parë pamje nga jeta e legjendës së F1 pas aksidentit.