Kryeministri Edi Rama do të takohet ditën e sotme në Romë me kryeministren italiane Georgia Melonin dhe kryeministrin britanik Rishi Sunak, me të cilët do të diskutojë çështjen e emigrantëve. Në panelin e diskutimeve do të jetë i ftuar edhe miliarderi i platformës X dhe Teslas, Elon Musk.

Takimi do të përqendrohet në emigracionin e paligjshëm, të emigrantëve shqiptarë drejt Britanisë së Madhe dhe atyre që vijnë nga vendet e Afrikës që vijnë për në Evropë përmes Italisë dhe që Shqipëria ka nënshkruar një marrëveshje për pritjen e tyre.

Zyra e Sunak tha se takimi do të përqendrohet në përpjekjet e përbashkëta për të trajtuar emigracionin e paligjshëm dhe krimin e organizuar. Marrëdhënia e liderit konservator britanik me Melonin, ka lulëzuar gjatë vitit të kaluar. Të dy kryeministrat kanë premtuar të trajtojnë numrin e madh të të ardhurve në brigjet e vendit të tyre, duke shkruar një letër të përbashkët në tetor duke bërë thirrje për veprime më të ashpra nga liderët e BE-së për migracionin ilegal.

Muajin e kaluar, Meloni dhe Rama njoftuan një marrëveshje për ndërtimin e dy qendrave italiane të emigrantëve në territorin shqiptar. Ata do të strehojnë azilkërkuesit e shpëtuar nga roja bregdetare italiane në Mesdhe, ndërkohë që rastet e tyre janë duke u proceduar. Planet shkaktuan kritika nga partitë opozitare në të dy vendet dhe grupet joqeveritare. Të mërkurën, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë bllokoi përkohësisht ratifikimin e marrëveshjes nga ligjvënësit. Ajo urdhëroi një seancë publike muajin e ardhshëm për të përcaktuar nëse marrëveshja shkelte kushtetutën./Dosja.al