Policia rrugore e Shkodrës në një javë ka ndëshkuar 635 drejtues mjetesh për shkelje të Kodit Rrugor. Sipas policies, këto kontrolle të shtuara bëhen me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore me pasoja për jetën e përdoruesve të rrugës, për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore dhe për të lehtësuar qarkullimin gjatë fashave të orareve me fluks të shtuar.
Si rezultat i monitorimit të akseve rrugore të qarkut, me shërbime të shtuara dhe me pajisje të logjistikës bashkëkohore janë ndëshkuar 323 drejtues mjetesh, për qarkullim me shpejtësi tej normave të lejuara, 88 drejtues mjetesh, për parakalime të gabuara dhe 23 drejtues mjetesh, për përdorim të celularit, gjatë drejtimit të mjetit. Gjithashtu janë ndëshkuar 15 drejtues motomjetesh, për mosvendosje të kaskës mbrojtëse, 44 drejtues automjetesh, për mosvendosjen e rripit të sigurimit dhe 142 të tjerë, për ndalim ose pushim të automjetit, në kundërshtim me sinjalistikën rrugore.Ndërkohë policia thotë se janë proceduar në gjendje të lirë 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale.Policia Rrugore e Shkodrës vijon kontrollet në të gjitha akset rrugore urbane, interurbane dhe rurale, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore. Gjithashtu, apelon për zbatimin me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor, nga të gjithë përdoruesit e rrugës.