E ndërsa shkenca ka arritur të prodhojë edhe mish në kushte laboratori apo të krijojë mjete me anë të Inteligjencës Artificiale për ta bërë më të lehtë jetesën, në Shqipëri ende mbetet problem buka. Jo sepse është në mungesë, por sepse edhe pse jemi në 2023, dhe flitet për avancime teknologjike me sisteme të robotizuara, mediat dhe shoqatat ende raportojnë probleme me një produkt që është thelbësor në shportën ushqimore të çdo familjeje shqiptare.

Nga sa mund të mbaj mend, në çdo vakt, në tryezën e familjes time çohej bukë. Po ashtu buka ka qenë pjesë e çdo tryeze, të çdo personi që unë njoh. Dhe jo vetëm. Të dhënat statistikore nga Eurostat për 2021 tregojnë se familjet shqiptare mbanin rekordin e shpenzimeve për bukë në Europë për vitin 2021 (Shpenzimet nominale për bukë dhe drithëra për vitin 2021 ishin sa 4.3% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 1.1% që është mesatarja e Bashkimit Europian, sipas statistikave). Javët e fundit mediat në Shqipëri po raportojnë për një rritje të çmimit të bukës me 30-40 Lek. Kjo rritje pritet të bëhet në muajin dhjetor specifikojnë ato, teksa citojnë një organizatë jofitimprurëse që mbron të drejtat e konsumatorit, ‘Qendra Alert’.

Rritja e çmimit nuk është problemi i vetëm që raportohet, gjithashtu Qendra Alert flet për problematika të tipit, përdorimi i miellit me proteina të ulëta për bukën – i cili lejohet të përdoret vetëm për ëmbëlsira- dhe abuzime me peshën.

Drejtori i Përgjitshëm i Qendrës Alert, Granit Sokoli, thotë se për 4 vjet shqiptarët janë vjedhur masivisht për peshën e bukës.

“Qendra Alert që prej fillimit të Pandemisë e më pas të konfliktit në Ukrainë, që ndikuan në rritjen globale të çmimeve, ka nisur të peshojë vetë bukën dhe në shumicën absolute të rasteve, pesha ishte më e vogël nga sa deklarohej në etiketë”, shprehet ai.

Para disa ditësh, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT), njoftoi se do të gjobisë deri në 200,000 lekë të gjitha subjektet që tregtojnë bukë dhe që nuk vendosin etiketat me përshkrimin (çmimi, lloji dhe pesha e bukës).

Ndërsa veprimi nga ISHMT konsiderohet i vonuar, Drejtori i Qendrës Alert thotë se është pozitive nga fakti se ‘buka do të shitet me peshë të njësuar, me kilogramë. Dhe që që do ketë kontrolle. Por paralajmëron diçka tjetër, se mund bëhet për të rritur çmimin e bukës.

“Ajo që në gjykimin e Qendrës ALERT, është hilja, është fakti se vetë prodhuesit e bukës i kanë kërkuar ISHMT-së që të ushtrojë kontrolle. Pse? Prodhuesit e kanë detyrim të zbatojnë legjislacionin dhe inspektoriatet t’i kontrollojnë. Nuk ndodh në asnjë vend që tregtari t’i thotë shtetit eja më kontrollo”, paralajmëron Sokoli.

“Duke tentuar të shesin bukën me kilogramë, nga 15 nëntori e mbrapa, kur siç deklarohet do të nisin dhe kontrollet, askush nga ne nuk e di sa do të jetë çmimi i bukës”, thotë Sokoli, teksa shton se’ dyshimi përforcohet nga një postim në rrjetet sociale të saj, Shoqata e Prodhuesve, ndërsa publikoi njoftimin për kontrollet, publikoi dhe modelin se si mund apo duhet të jetë etiketa në raft buke. Por, në këtë shembull, gjoja vetëm si ilustrim, shkruante pak a shumë: Bukë integrale (masive) 400 gramë, 80 lek. Po nëse buka do të shitet me peshë, pra me kilogramë, sa do të jetë një bukë që sot peshon 800 gramë? Sipas kësaj llogarie, i bie 160 Lek”, përfundon ai.

Përveç peshës, Qendra Alert ngre alarmin e furra-pastiçerive, të cilat mund të përziejnë miellin me proteina të ulëta me atë që përdoret për bukë. Duke përdorur këtë metodë kostoja iu del më e lirë, ndërsa qytetarët nuk marrim të njëjtin produkt siç e parashikon ligji. Sipas legjislacionit shqiptar, proteina e miellit duhet të jetë 12% e më lart. Nën këtë nivel, mielli lejohet të përdoret vetëm për ëmbëlsira.

“3 mijë ton miell me proteina të ulëta nga Kosova, Serbia dhe Greqia, kryesisht. Ku shkojnë? Duke qenë se shumica e furrave të bukës janë kthyer në furra dhe pastiçeri në të njëjtin ambient, prodhuesit në shumë raste mund të përziejnë miellin me proteinë të lartë me atë me proteinë më të ulët për të prodhuar bukë”, thotë Sokoli.

Qendra Alert rekomandon që Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) duhet të verifikojë në furra-pastiçeri se sa miell me proteina të ulëta është blerë, sa bukë e ëmbëlsira janë prodhuar, për të gjetur dhe destinacionin e miellit me proteina të ulëta.

AKU iu përgjigj kërkesës sime për informacion nëse ka patur raste për miell me proteina të ulëta. Në një email organizata shprehet se kryen kontrolle në në të gjithë subjektet prodhuese dhe tregtuese të produktit bukë, gjithashtu edhe në Pikat e Inspektimit Kufitar për produktin miell. Nga furrat e bukës merren mostra mielli dhe dërgohen në laboratorët përkatës për vlerësimin e proteinës së deklaruar në etiketë.

AKU deklaron se merr masat e nevojshme për subjektet që kryejnë shkelje të cilat përfshijnë: paralajmërim, gjobë, ndërprerje të zhvillimit të aktivitetit dhe propozim të revokimit të licencës.

Por pavarësisht kontrolleve, nuk mohoen rreziqet që vijnë nga përdorimi i shumtë i miellit në Shqipëri.

‘Masiviteti i përdorimit të miellit dhe rritja e konsumit të bukës, sjellin si efekt të mundshëm potencialitetin e risqeve për cënimin e sigurisë ushqimore, duke rrezikuar në shëndetin e jetën e konsumatorëve”, thuhet në përgjigjen e AKU-së në email.

Konsumatorët nuk mund të vërejnë vet parregullsitë në prodhimin e bukës, por në raste të veçanta nëse vërehen parregullësi, ankesa nga qytetarët duhet bërë te ‘Komisioni për Mbrojtjen e Konsumatorit në Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë, si dhe te organizatat e mbrojtjes së konsumatorit’, sipas Qendrës Alert.

Një anketë e bërë për këtë artikull me 76 njerëz në profesione dhe me të ardhura të ndryshme evidentoi se 67% e tyre janë ‘’pak të kënaqur’’ me cilësinë e bukës në Shqipëri. 78% tregojnë se kanë vërejtur ndryshime në shijen e bukës në periudha të ndryshme. Ndërsa 98% e tyre shprehen se duhen vendosur më shumë rregulla të forta nga organet kompetente për të vendosur rregull në tregun e prodhimit të bukës.

Po na vjedhin bukën e gojës -literalisht!

TABELA TË DHËNAT NGA ANKETA E KRYER PËR ARTIKULLIN

E ndërsa nuk është ende përfundimtare, nga anketa 90% e të pyeturve shprehen se i shqetëson rritja e çmimit të bukës.

Në Shqipëri sot e kësaj dite, nuk thuhet do dal për drekë apo darkë sa përdoret shprehja ‘”do ha bukë”. Buka është e rëndësishme për shoqëritë jo shumë të zhvilluara. Shumëkush mjaftohet me të dhe pak produkte për të ushqyer familjen./ Zenilda Beqaj