Kryetari i PD, Sali Berisha ka zhvilluar një takim në Fier me qytetarët dhe demokratët, në kuadër të turit ‘Opozita në Aksion’.
Gjatë fjalës së tij të mbajtur me qytetarët në Fier, Berisha tha se Kuvendi votëbesoi linjën politike të PD-së në këtë moment historik.
Kryedemokrati tha nga Fieri se Kuvendi e votoi Sali Berishën pikërisht për linjën e mosbindjes civile. Berisha tha se, kjo betejë pa kthim do na çojë drejt fitores.
PJESË NGA FJALA E BERISHËS:
Por, ne kishim një problem pas rithemelimit. Problemi ynë ishte se kishim braktisur qeverisjen vendore dhe ishim bërë shkak me vendimin tonë antidemokratik që të vendosej monizmi në qeverisjen vendore. Dhe kjo duhej korrigjuar. Dhe kjo pavarësisht nga çmimi, ne duhet ta korrigjonim atë.
U thamë shqiptarëve se do mbrojmë votën, nuk bëhej fjalë ta mbronim me pushkë dhe automatik sepse dita e zgjedhjeve është ditë e një akti civil, ditë e një akti lirie dhe askujt nuk mund t’i shkojë në mendje ajo. Por ama bëmë gjithçka për të identifikuar çdo dhunim, çdo shkelje, çdo gjë, për t’u thënë shqiptarëve se kush është Edi Rama në raport me votën tuaj.
Dhe besoj se këtë e realizuam më mirë se asnjëherë në tërë ekzistencën e PD.
Dy muaj para zgjedhjeve, deklaroi se kodi zgjedhor, garancia e vetme e zgjedhjeve, është një kinezëri. Do të thotë se zgjedhje nuk do kishte, sepse opozita do zbatojë ligjin, por nëse qeveria e asgjëson ligjin, nuk ka më zgjedhje.
Ata të cilët, me të drejtë mund të vënë në dyshim deklaratën se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje, i ftoj për një moment të analizojmë bashkë rezultatin e 14 majit.
600 mijë shqiptarë votuan për opozitën, 710 mijë vota mori Edi Rama. Por tani, duhet të pyesim veten sa vota bëjnë 683 mijë zarfa me 50 mijë lekë për çdo pensionist? Sa vota bëjnë rritja e rrogave në mes të fushatës, të gjitha këto në kundërshtim me ligjin? Sa vota bëjnë heqja e emrit të PD nga fleta e votimit? Sa vota kushton heqja e emrit të kryetarit të koalicionit nga fleta e votimit? Sa vota kushton ndryshimi i qendrave të votimit për 1.3 milionë zgjedhës për herë të parë pas vitit 2001? Janë 200 mijë zgjedhës që nuk gjetën emrat në fletat e votimit, ju garantoj se 90 përqind e tyre janë votues të opozitës.
Sa vota bëjnë dhjetëra mijëra leje legalizimi, leje ndërtimi, licenca, etj?
Por nuk janë vetëm këto. U shpërndanë dhjetëra milionë, në moes më shumë euro për të blerë të drejtën e votës. E drejta e votës blihet kur i thuhet tjetrit, merr këto para, mos dil në votim.
Ose për të blerë votën. Nuk kam një shifër të them sa u ble nga Edi Rama, por kam nga Tom Doshi. E patë ju duke parë ndonjë ditë fushatë? Asnjë ditë. Partia e tij u rrit me 240 përqind nga thasët e parave.
Po Toma nuk është pareli më i madh se Edi Rama. Edi Rama është pareliu më i madh i vendit se kontrollon të gjitha grupet kriminale, të gjitha trafiqet, të gjitha buxhetet, etj.
Po përveç këtyre, policia politike e përbërë nga patronazhistët dhe aktivistët, që u qëndruan ju si terroristë mbi kokë, që kërcënuan, që mbillnin frikë, që rrethonin qendra. Së fundmi, bandat e vrasjeve. Ju ndoshta e keni parë në Shkodër se çfarë bënë Bajrët. Po si Shkodra, kanë qenë një seri qytetesh të tjera.
Prapë t’i themi vetes, a mund të ketë zgjedhje me Edi Ramën? Nuk duhet të mashtrohemi.
Ju garantoj se në zgjedhjet e vitit 2025, Edi Rama nuk do shpërndajë 50 mijë lekë për pensionistë, por 150 mijë lekë, sepse i funksionoi ajo. Ju garantojë se nuk do ndajë 50 milionë euro për tërmetin, aty i mban në çadra, do ndajë 80 milionë euro.
Pra, votëblerja për zgjedhjet politike do jetë 3 herë më e madhe.
A është kjo një situatë dëshpëruese? Po, nuk them jo. Por a është kjo një situatë pa rrugëdalje? Absolutisht jo. Kjo ka rrugëdalje. Ne kemi përpara një narkodiktator, një narkotiran me të cilin ne duhet të përballemi dhëmb për dhëmb gjer në rrëzimin e tij.
Nuk ka betejë më të shenjtë për një forcë politike dhe për një shoqëri se beteja për votën e lirë.
Pse e votoi Kuvendi, Sali Berishën? E votoi pikërisht për linjën e mosbindjes civile. E votoi pikërisht për betejën pa kthim. E votoi pikërisht me bindjen më të madhe se me këtë rrugë, PD do ecë drejt fitores. Do fitojë!