Java e 16-të e Abissnet Superiore, nis të dielën me 3 takime, mes të cilave edhe ai Vllaznia-Dinamo. Ndeshja e kuqebluve luhet në orën 17:00, ndërkohë që më herët në fushë janë dy çiftet e tjera: Laçi-Tirana dhe Erzeni-Kukësi. Në konferëncën e zakonshme dhënë si zakonisht një ditë përpara ndeshjes, tekniku kuqeblu, Qatip Osmani, theksoi se janë analizuar defektet e paraqitura në ndeshjen e kaluar me Egnatian. Ndërkohë, sa i përket kundërshtarit që ka përballë këtë javë, vlerësoi Dinamon, por tha se Vllaznisë i duhet patjetër fitorja në këtë ndeshje.

Edhe pse më herët është deklaruar se Esat Mala është gati për lojë, Osmani tha se ai nuk do të jetë nga minuta e parë, por do të jetë i gatshëm në stol.

Ndër të tjera, tekniku Osmani, foli edhe për ndërprerjen e bashkëpunimit me dy futbollistët maqedonas, Dodev dhe Çeshmendjiev.

Ndeshja, Vllaznia-Dinamo, luhet të dielën në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës duke filluar nga ora 17:00.