Shkruan ne facebook, Brunilda Keçi Lleshi
Mbas më shumë se 8 vitesh si Përgjegjëse e Artit dhe Trashëgimisë Kulturore në Bashkinë e Shkodrës, sot u shkarkova nga kryetari aktual, me një procedurë për të cilën do të flas në vazhdim, e cila është thellësisht politike dhe e ndikuar nga urrejtja që ky njeri dhe ekipi i tij paska pasë për njerëzit e lirë të këtij qyteti.
Sot ndjej vetëm nevojën të falenderoj të gjithë ata, të cilët më dhanë mundësinë, besimin dhe mbështetjen e pakursyer në këtë eksperiencë të çmuar për mua.
Bashkë ngritëm dhe rikthyem shtylla të rëndësishme të artit e kulturës, që Shkodra i meriton.
Në dhjetor 2016 i kthyem melodinë qytetit, “Luleborën” tonë; në të njëjtin muaj rikthyem “Shkodra Jazz Festival”, pas shumë vitesh mungesë, e një vit më pas, ngjizëm shkollën e parë verore të perfeksionimit të lartë muzikor “Rrok Academy”, e para në llojin e vet në Shkodër; bashkë sollëm në qytetin e bandës frymore të parë shqiptare, atë të Giovanni Canale të 1876-ës, për herë të parë në 2018 “Festivalin ndërkombëtar të orkestrave frymore”; I dhamë zà alpeve e qytetit tonë me “Za Fest”; rritëm dhe mbështetëm aktivitete të traditës tonë “Festivalin Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë”, “Ahengun Shkodran” etj…
Rikthyem në institucion pas 32 vitesh Orkestrën Simfonike në 2022-shin… Në të njëjtin vit u binjakëzuam (jo vetëm kulturalisht) me Tetovën por edhe me motrën tonë të vogël Gjakovë, me të cilën krijuam edhe një kalendar kulturor afatgjatë si motra zemre.
Në 2022 I rikthyem qytetit dhe turistëve, imazhin më të hijshëm që na kujton kush kemi qenë dhe çfarë trashëgimie kulturore rezervojmë, duke çliruar Kolë Idromenon dhe madhështinë e arkitekturës së tij nga terri që e kishte mbulu!
Teatrit “Migjeni”, krenarisë tonë dhe të kombit, i hoqëm barrierat që e mbanin larg publikut të tij, duke e kthyer në një ambjent rekreacioni dhe në shtëpinë e vërtetë të artit e kulturës, si i vetmi teatër në Republikë i atyre dimensioneve i mbetur në këmbë, larg politikës dhe asambleve partiake.
Mbështetëm artistë e organizata kulturore kombëtare e ndërkombëtare që sollën në Shkodër ide e projekte inovatore.
I dhamë qytetit dimensione ndërkombëtare me festivalin “Shife”, i cili në 2022-shin u bë kryefjala e mediave më prestigjioze europiane dhe prej të cilit turistët dhe investitorë potencial ndërkombëtarë filluan ta shihnin Shkodrën teme me dritën që qëllimisht ia kishin fikë për 10 vite të kësaj qeverie.
Në mars të këtij viti kishim filluar biseda shumë serioze aktivitetesh të përbashkëta që do të nisnin në qershor, deri në binjakëzim, me një nga teatrot operistike më të rëndësishëm europian, andërr që na u pre në mes pas shpalljes “armiq të popullit”, si dikur të parët e mi….
Asgjë nga këto, nuk do të ishte bërë e mundur pa bashkëpunimin e jashtëzakonshëm të njerëzve të veçantë dhe kontributin e një rrjeti të madh artistësh kombëtar e ndërkombëtarë, mediash lokale, kombëtare e ndërkombëtare, me të cilët premtoj që do e vazhdoj bashkëpunimin, në dimensione të tjera. Kam gjetë miq zemre gjatë këtyre viteve, e ashtu do të mbeten për mua.
Shkarkimi i sotëm nga puna, i cili nuk është i papritur e surprizë për mua, familjen teme dhe miqtë e mi të afërt, nuk ma shteron dot pasionin, energjinë, drejtësinë dhe dashninë që unë kam për këtë qytet e këtë vend.
Shkarkimi i sotëm, që asht thellësisht politik, pas muajsh presione brenda atij institucioni, nuk ma ndal zemrën me punu ma fort për këtë vend.
Shkarkimi i sotëm më ka ba si shqiponja që hap krahët drejt qiejve të lirisë, fjalës, dritës.
Babë, zemra e jeme, si ti dikur, edhe unë sot “armike e popullit” ❤️
por terri kurrë s’do e mundë Dritën!