Vllaznia ka ndarë rrugët me Darko Dodev. Sulmuesi 25-vjeçar dhe klubi shkodran kanë vendosur me mirëkuptim që të ndërpresin marrëveshjen, me maqedonasin që u bashkua me kuqeblutë vetëm në korrikun e këtij viti.

Performanca e tij jo në nivelin e duhur, me nëntë ndeshje dhe asnjë gol në Superligë, ka shtyrë palët që të shkojnë drejt “divorcit”. Edhe me Qatip Osmanin në stol, Dodev nuk kishte hapësirat që priste, teksa ai nuk u ambientua me futbollin në Shqipëri.

“KF Vllaznia njofton mbylljen e bashkëpunimit me futbollistin Darko Dodev. Sulmuesi 25 vjeçar dhe klubi kanë vendosur të ndërpresin me mirëkuptim kontratën mes palëve. KF Vllaznia e falënderon Darko Dodev për kontributin e dhënë gjatë kësaj periudhe me skuadrën kuqeblu”, njofton Vllaznia.