Bizneset po perballen me krizë financiare për shkak të rënies së euros në kursin e kembimit. Humbjet më të mëdha janë për biznesin fason, pasi të ardhurat i marrin në euro ndërsa shpenzimet i paguajne në lek. Sipas biznesmenëve humbjet nga euro shkojnë në 25 për qind.
Gjatë takimit të “Pro Eksport Albania” me pronarët e fabrikave të veshjeve dhe këpucëve në Shkodër, kreu i shoqatës Edvin Prençe tha se për shkak të krizës çdo ditë largohen nga puna 30 punëtorë në mbarë vendin.
“Nga nëntor e në vazhdim, çdo ditë mbyllen 30 vende pune në rang republike, por kriza më e madhe pritet në janar”.
Ndërsa koordinatori Florian Zekja duke bërë një analizë krahasuese me vitin 2022, tha se eksportet kanë rënë ndjeshëm nga Marsi i këtij viti e në vazhdim.
“Eksportet kanë rënë me 11 për qind në Mars dhe ka vazhduar deri në tetor”
Shoqata Pro-Eksport Albania dhe pronarët e disa kompanive prodhuese në Shkodër ripërsëritën kërkesën për marrjen e masave nga qeveria.
“Duhet të orientojmë drejt standardit “Made in Albania”. Duhet te heqim dorë nga kërkesa për rimbursimin e Euros. Ne duhet të hartojmë një projekt për mbështetje nga qeveria dhe të ulemi në bisedime”, thanë përfaqësues të biznesit fason në Shkodër.