Në një distancë prej vetëm 43 km larg qytetit të Shkodrës dhe në një lartësi prej 900 metrash mbi nivelin e detit, pika turistike e Razmës është ndër më të frekuentuarat në qarkun e Shkodrës.

Janë të shumtë turistët nga vende të ndryshme të botës, por dhe nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, që zgjedhin të kalojnë fundjavën në Razëm.

Vitet e fundit shumë investitorë kanë ditur t’i përgjigjen me investime serioze, ç’ka e bën sot Razmën një nga zonat e turizmit malor elitar.

Ndërsa bashkia e Malësisë së Madhe po i kushton një vëmendje të shtuar pikave turistike malore me qëllim për t’i zhvilluar edhe më tej këta zona.

Veç peizazhit të bukur natyror, akomodimit dhe shërbimit, Razma është e famshme për 100 shpellat karakteristike, 12 puset në qendër të saj që ishin burimi i vetëm i ujit për zonën por edhe dhe me një histori mbresëlënëse.