Kryeministri Edi Rama ka ndjekur nga zyra e kreut të Bashkisë Shkodër Benet Beci, prezantimin për projektin e rilindjes së lagjes Zdrale.

Sikurse shkruan Rama, është një prej lagjeve karakteristike të Shkodrës së fillimviteve 1900, e cila është studiuar nga një studio arkitektësh të rinj të talentuar dhe do të përfshihet në programin e investimeve për kryeqytetin e Veriut

Zona historike e Zdrales është një nga më të mirënjohurat e Shkodrës, me një aktivitet të gjerë tregtar, e sjellë së fundmi në vëmendje si nevojë për transformim të domosdoshëm, përmes vitalizimit urban dhe rilindjes së traditave më të bukura që ajo ka mbartur ndër vite.

“Zona e Zdralës është një zonë shumë e madhe dhe qendrore në qytet. Është pjesë e një rrethi 5 minutësh i qarkullimit nga qendra e qytetit, por ama është e degraduar në krahasim me zonën tjetër tjetër historike. E kemi sjellë në vëmendje si një zonë që meriton patjetër vitalizim urban por edhe një zhvillim nga pikëpamja e karakterit të pazarit që ka dhe më gjerë. Është një zonë historike. Ka 300 vite si lagje që është formuar, me elemente interesant të trashëgimisë kulturore, por sot është degraduar po themi dhe nga zhvillimi urban dhe nga mungesa e infrastrukturës.” –u shpreh prezantuesja e projektit, teksa shpjegoi në detaje përbërjen e kësaj zone.