Shkodra tashmë pas festave të flamurit, ka hyrë në një moment tjetër të rëndësishëm për të gjithë sic janë festat e fundvitit me festën e Krishtlindjeve dhe Vitit të ri.
Sheshi para bashkisë Shkodër, i pagëzuar si “qyteza e festave”, është kthyer në një kantier pune me vendosjen e dritave shumëngjyrëshe, fasadës së bashkisë Shkodër të dekoruar ndryshe këtë vit, por edhe vendosjen e 20 shpizave.
Mjafton të bësh një xhiro në pedonalet e Shkodrës përgjatë sheshit para bashksië në pedonalen “28 Nëntori” dhe “Kolë Idromeno”, për të kuptuar dëshirën e madhe të shkodranëve e kryesisht më të vegjëlve për të parë Shkodrën të ndricuar me dritat shumëngjyrëshe të vitit të ri.
Puna ka nisur prej ditësh dhe duket se ora finale për nisjen e festimeve në Shkodër këtë vit do të jetë 1 Dhjetori.
Nga bashkia Shkodër është hartuar një program i detajuar, me “plot festa dhe shumë surpriza”-sic shprehen organizatorët duke lënë enigmë këngëtarët dhe të ftuarit të cilët do të përformojnë gjatë gjithë muajit në sheshin festiv para bashkisë Shkodër.
Por pjesë e dekorit janë edhe sheshe të tjera të Shkodrës, duke i dhënë Shkodrës një atmosferë feste, e cila me ndezjen e dritave në 1 Dhjetor shënon edhe nisjen e festimeve për Krishtlindjet dhe Vitin e ri, ndërkohë që për turistët është momenti që të rezervojnë të bëhen pjesë e festimeve që këtë vit duket se Shkodra do të jetë kryefjalë e festimeve në të gjithë vendin!