“Një humbje e madhe. Me Zef Dedën jemi rritur një brez i tërë në festa e në gëzime, por edhe në ditë të vështira”, kështu është shprehur kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci pas homazheve në nder të Mjeshtrit të Madh.

Në një prononcim për mediat, Beci thotë se sot përcjellin me dhimbje një legjendë, i cili do të mbetet gjithmonë me një buzëqeshje në kujtimin e qytetit të Shkodrës.

Gjatë fjalës së tij, kryebashkiaku Beci shprehet se artisti i madh Zef Deda do të mbetet gjithmonë një inspirim për brezat që gjithmonë na ka dhuruar humor të madh.

Benet Beci: Është një humbje e madhe. Ne përcjellim një respekt të jashtëzakonshëm gjithë qyteti, por besoj dhe i gjithë kombi shqiptar. Një figurë shumë dimensionale artistike. Me Zef Dedën jemi rritur një brez i tërë në festa, në gëzime, por edhe në ditë të vështira, na ka dhënë ai buzëqeshje. Ai do të mbahet mend për shumë role, do të mbahet mend si “Çaplini shqiptar”, por në fakt brezat kanë shumë për të kujtuar. Ne sot e përcjellim me dhimbje, por mendoj se si një legjendë, i cili do të mbetet gjithmonë me një buzëqeshje në kujtimin e qytetit. Do të mbetet një inspirim për brezat si një ikonë që ka shtuar në nderin e Shkodrës dhe që ka dhuruar gjithmonë humor të madh. Kemi për detyrë ta çojmë më tej këtë trashëgimi, këtë histori, këtë krenari që i ka dhënë qytetit një emër i madh si Zef Deda.