Trupa profesioniste e humorit shqiptar më shumë është në qiell se sa në tokë, aty janë emra të mëdhenj dhe sot i bashkohet dhe Zef Deda, ndryshe e quanim Çaplini shqiptar.”

Kështu është shprehur aktori i madh i humorit, Agron Llakaj pas homazheve në nder të Mjeshtrit të Madh, Zef Deda në teatrin “Migjeni”.

Gjatë fjalës së tij në një prononcim për mediat, Llakaj thotë se ikja e artistit Zef Deda është një dhimbje e madhe.

Agron Llakaj: Të gjithë të Zotit jemi dhe një ditë do të largohemi, megjithatë, ikja e Zefit është e parakohshme. Artistët me emrin e Zefit janë të tillë që në momentin e parë të shkaktojnë dhimbjen, por ai me veprën dhe artin e tij ka lënë të qeshurën mbrapa, dashurinë e një publiku që e ka dashur dhe mbështetur gjatë gjithë kohës dhe mendoj se ndoshta duhet një punë për t’i rikthyer brezit të ri për të kuptuar se kush ka qenë arti i vërtetë dhe se çfarë do të thotë që të jesh një artist humori që edhe pse ka arritur t’i mbijetojë asaj kohe, në kuptimin tim vizual, më duket sikur trupa profesioniste e humorit shqiptrar më shumë është në qiell se sa në tokë, aty janë emra të mëdhenj dhe sot i bashkohet dhe Zef Deda, ndryshe e quanim “Çaplini shqiptar”. Unë shpresoj se dy djemtë e tij që janë artistë, Juli sidomos të jetë i zoti të trashëgojë diçka nga geni i Zefit. Dhimbja nuk është vetëm për publikun e Shkodrës, por besoj se për këdo që ka përcjellë artin e Zefit, është një dhimbje e madhe.