Osman Abdulla Kazazi u lind më 9.7.1917 në Tiranë. Ai është një prej figurave emblematike të qëndresës antikomuniste, jo vetëm në Shqipëri, po i pazakontë në gjithë Lindjen komuniste. Regjimi e dënoi tri herë, duke i rrëmbyer lirinë plot 33 vjet, 6 muaj, 4 ditë. Nëse kësaj mungese lirie do i shtojmë edhe 5 vitet e internimit, shifra del edhe më e frikshme. Osmani u arrestua kur ishte i ri 28 vjeç dhe doli prej andej 69 vjeç, pa shijuar pjesën më të bukur të jetës. Dhe e gjitha pa bërë asgjë.
Pasi në vitin 1940 mbaroi studimet në gjimnazin e Shkodrës, nisi studimet e larta në Itali për farmaceutikë. Në vitin 1942 u bë anëtar i Ballit Kombëtar prej Halim Begesë. Në qershor 1943, pas 3 vjetësh studime (pa e mbaruar universitetin), u kthye në Shqipëri duke zhvilluar një aktivitet politik që konsistonte vetëm në propagandë, veprimtari e cila pushoi në qershor 1944. Osmani ishte kryetar i parë i Shoqatës së ish të Dënuarve Politikë në vitet 1991-1993. Vdiq më 3.3.1999 në Tiranë.
Dënimi i parë
U arrestua pikërisht më 14.11.1944, tri ditë përpara se zyrtarisht komunistët të merrnin pushtetin në Tiranë. U akuzua në bazë të neneve 15 dhe 18 të ligjit nr.41, datë 14.1.1945. U gjykua si anëtar i thjeshtë i një organizate. Gjatë procesit hetimor dhe atij gjyqësor, mohoi të kishte qenë anëtar i qarkorit të Ballit Kombëtar apo të kishte drejtuar njësi ushtarake. Deklaronte se kish qenë veçse anëtar i thjeshtë që merrej me shpërndarjen e trakteve. “Kurrë nuk kam spiunuar dhe arrestuar njeri”-deklaroi përpara gjykatës. Po ashtu mohoi të kishte dijeni apo pjesëmarrje për vrasjet e masakrës së 4 shkurtit 1944 në Tiranë.
Në gjyqin e zhvilluar në kinemanë “Tomori”, kundër tij dolën dy dëshmitarë, por asnjëri nuk formuloi dot një akuzë konkrete. Tipografi 33 vjeçar Myslim Katragjuni, ndër të tjera deklaroi: “Sa për datën fatale të 4 shkurtit, Balli Kombëtar ka patur dijeni më të madhe, d.m.th. se edhe Osman Kazazi ka patur dijeni qysh më përpara se çka do të ngjasi më 4 shkurt”. Në gjyq e ndryshoi këtë deklaratë duke iu përmbajtur një opinioni të pasngjarjes.
Pro Osmanit u shprehën 4 dëshmitarë: partizani 30 vjeçar Muhamet Qolli nga Kavaja, i cili tha se Osmani kishte kërkuar të luftohej okupatori dhe se i kish ndihmuar materialisht; 49 vjeçarja Habibe Delli nga Vlora, nëna e dëshmorit Xhezmi Delli, tregoi si e kish ndihmuar vullnetarisht për të gjetur djalin e saj të zhdukur; 22 vjeçarja Violeta Vasil Xhaçka nëpunëse, tregoi për bisedat gjatë luftës; 27 vjeçari Ludovik Jakova tregoi si ishte fshehur në shtëpinë e Osmanit për të mos e zënë fashistët. Përveç mungesës së provave, kundër dënimit ishin edhe banorët e lagjes “Ali bej”, të cilët deklaruan se Osmani ishte ndër “djemtë më të ndershëm të lagjes” dhe kurdoherë i kishte ndihmuar. Megjithatë dënimi ishte paracaktuar. Nuk kishin rëndësi provat.
Përpara gjykatës, Kazazi deklaroi: “Unë nuk e kam luftuar dhe as e kam sabotuar luftën e popullit. Unë kam marrë pjesë gjithnjë në demonstrata kundra okupatorit fashist italian. Unë kam përkrahur lëvizjen duke i dërguar gjëra sanitare, material shtypi e të tjera. Kam qenë anëtar i thjeshtë i Ballit Kombëtar…Unë vetëm kam marrë traktet e Ballit nga shtypshkronja dhe i çoja në komandën e Ballit dhe asnjë veprim tjetër nuk kam bërë. Në shtypin e Ballit kanë qenë Zef Pali, Xhevat Kallajxhiu, Nexhat Peshkëpia.
Gjykata Ushtarake e Krahinës Ushtarake të Korpusit të Parë Tiranë e drejtuar nga nënkolonel Bilbil Klosi me pjesëmarrjen e prokurorit major Gjon Banushin, me vendimin nr.138, datë 12.5.1945 e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 15 vjet burgim, konfiskim të pasurisë, punë të detyruar dhe humbjen e të drejtave politike për aq kohë. U lirua më 7.3.1959.
Internimi
Menjëherë sapo u lirua nga burgu, në moshën 42 vjeçare, në mënyrë që mos gjente qetësi e mos krijonte familje, u internua për 5 vjet në Shtyllas të Fierit me vendimin nr.1, datë 17.3.1959 të Komisionit të Internim Dëbimeve “për rrezikshmëri shoqërore”. Ky internim do zgjaste deri më 17.3.1964.
ARTIKULL I SPONSORIZUAR
Ja vrasësi i prostatës! Burrat duhet ta lexojnë tani!
More…
743
186
248
Dënimi i dytë
Erdhi në Tiranë pas shumë vitesh mungese. Filloi punë si punëtor krahu në Ndërmarrjen Bujqësore Shtetërore “Gjergj Dimitrov” në Tiranë (Sauk). Por kjo nuk do zgjaste shumë.
U arrestua më 31.10.1966 në moshën 49-vjeçare. U akuzua në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal, duke përdorur “prova” që vinin nga koha e internimit. Më pak se dy javë pas arrestimit, sëmuret rëndë e shtrohet në spital nga një ftohje e rëndë. Pasi dështoi me një dëshmitar nga internimi, hetuesia solli dy dëshmitarë nga ferma, për të cilët Kazazi deklaroi se nuk i njihte dhe as kishte biseduar ndonjëherë me ta. Hetuesia vijon me dy dëshmitarë nga Selita dhe Farka, por edhe për këta Kazazi tha se nuk i njihte. Më 7.2.1967, mohon edhe deklaratën e dëshmitarit të fundit.
Dëshmitarët kishin nënshkruar akte sipas së cilave Kazazi kish thënë se në Itali jetohej mirë, nuk duhej të ishte kthyer, se dëgjonte “Zërin e Amerikës”, fliste për Mbretin Zogu, etj.
Hetuesi Iljaz Haxhiaj zhvilloi hetimin ndaj tij. Kazazi deklaroi se nuk pranonte të kishte zhvilluar biseda kundër pushtetit, madje nuk shoqërohej me njeri. Të njëjtin qëndrim mbajti në procesin e ballafaqimit me dëshmitarët.
Gjykata e Qarkut Tiranë, e drejtuar nga Shanisha Demi, duke pasur pranë prokurorin Edmond Sanxhaktari, me vendimin nr.14, datë 11.3.1973 e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet heqje të lirisë dhe konfiskim të pasurisë. U la në fuqi me vendimin nr.63, datë 7.4.1967 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
Dënimi i tretë, ridënim në burg
U arrestua më 24.12.1973 duke vuajtur dënimin në Repartin nr.321 Burrel. U akuzua në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal, se i prirë “nga qëllimi i posaçëm kriminal”, duke dashur të dobësonte e minonte fuqinë politike dhe ekonomike të rendit socialist nëpërmjet bisedave brenda burgut. Thuhej se ai “me persona të tjerë, me një urrejtje të papërshkruar duke iu kundërvënë direkt rendit tonë shoqëror socialist, i mbështetur në propagandën borgjezo-revizioniste” ishte shpreh keq për regjimin. Midis të tjerash, citohej se Kazazi kish thënë:
“Komunizmi personifikon gjak, terror, uri, njerëzit që e përkrahin janë kriminelë, nuk kanë as ideal dhe as parime, se komunizmi është i destinuar të përfundojë ashtu siç erdhi spontanisht edhe te ne, se shpresa për ta zhdukur është te njerëzit tanë të arratisur dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Udhëheqësit tanë nuk dinë të drejtojnë, se ata lidhin marrëdhënie me vende të varfra që nuk i njeh njeri në botë”.
Nga dënimi i mëparshëm Kazazit i kishin ngelur 2 vjet, 1 muaj dhe 10 ditë. Gjykata e Rrethit Mat, e vendosur brenda burgut, e drejtuar nga Ylli Topalli, me pjesëmarrjen e prokurorit Hajdar Cakoni, me vendimin nr.8, datë 4.2.1974, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie. Në bashkim të dënimeve i dha 12 vjet heqje lirie. U lirua më 13.1.1986./Kujto.al