Detaje të reja dalin nga dëshmia e të penduarit të drejtësisë, Artan Tafani, në lidhje me aktivitetin e të rrezikshmit të Lushnjës, Laert Haxhiu. Ish-pjesëtari i bandës së Haxhiut, Tafani tregon me detaje sesi Haxhiu i kërkonte të eliminonte prokuroren e SPAK, Doloreza Musabelliu.

Ai tregon se Laerti e mbante në vëzhgim prokuroren, së bashku me fëmijët e saj dhe se njëherë i kishte thënë që ta digjnin në shtëpi, bashkë me fëmijët. Artan Tafani rrëfen se nuk ka pranuar ta zbatojë këtë urdhër, duke i thënë se të vegjlit nuk kanë faj. Sipas tij, Laert Haxhiu kishte edhe frikë kur po tentonte të vriste Musabelliun, pasi mendonte se kjo mund t’i shkaktonte probleme të shumta me shtetin.

“Një herë na thoshte që t’i digjnim shtëpinë bashkë me fëmijët brenda. Por unë nuk e pranoja pasi i thashë që fëmijët e vegjël nuk kanë faj. Njëherë tjetër na tha ta prisnim poshtë pallatit dhe t’i fusnim plumbin. Laert Haxhiu kishte foto të ndryshme të prokurores Musabelli dhe fëmijëve në vende të ndryshme që frekuentonin. Laerti kishte edhe shumë frikë dhe thoshte që po e bëra këtë do i hap vetes shumë punë me shtetin,”-tha Tafani për Inside Story.

I penduari i drejtësisë Artan Tafani ka zbërthyer krimet, që dyshohet se ka kryer banda e drejtuar nga Laert Haxhiu. Ai ka treguar se banda e Haxhiut kishte vënë në shënjestër njerëzit e drejtësisë, si prokurorja e SPAK Doloreza Musabelliu dhe prokurorja e Lushnjës, Merita Selimi. Në shenjestër të grupit ishte dhe një avokat, që ushtronte aktivitetin në qytetin e Lushnjës, Adriatik Doga. Këto vrasje ishin planifikuar, pasi Musabelli kishte dënuar me burgim të përjetshëm shokun e Laertit, Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin./Zëri.ai/