Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë ka ngritur shqetësimin për rikthimin e neo-komunizmit në vend, duke kërkuar nga institucionet hartimin dhe miratimin e një ligji që ndalon përhapjen e simboleve e parimeve të diktaturës komuniste.
“Të miratohet një ligj i cili të parashikojë krimin e apologjisë së komunizmit njësoj si vendet europiane që kanë dënuar dhe parashikojnë sanksione të rënda për krimin e apologjisë së nazizmit dhe të fashizmit. Të zbatohen të gjitha parashikimet e rezolutave parlamentare dhe deklaratës presidenciale të sipër cituara në një kohë sa më të shkurtër të mundshme”- u shpreh Angelo Massafra.
Nga Shkodra, Monsinjor Angelo Massafra tha se është e pafalshme qe ende disa televizione paraqesin filma të prodhuar nga diktatura, të cilët mbajnë gjallë komunizmin dhe i “injektojnë” parimet e diktatorit tek brezat e rinj. Po kështu librat e historisë nuk thonë të vërtetën mbi komunizmin në Shqipëri.
“Librat e historisë të shkruajnë të vërtetën e komunizmit në Shqipëri; Burgjet dhe vendet e torturës të konsiderohen dhe ruhen si Muze, si psh. Burgu i Spaç-it. Që të persekutuarit politikë dhe të mbijetuarit nga burgjet të kenë shpërblimin e përshtatshëm. Aktet ligjore dhe nënligjore të përcaktojnë rregulla të qarta mbi dekoratat, titujt e nderit dhe medaljet në mënyrë që të shmanget vlerësimi dhe lartësimi i funksionarëve të organeve të diktaturës komuniste”- shtoi ai.
Kërkesa për parashikimin me ligj të krimit të “Apologjisë së Komunizmit” i është drejtuar Kuvendit, Presidentit dhe Këshillit të Ministrave.