Kombëtarja shqiptare e futbollit po luan sot më 20:45 kundër Ishujve Faroe në Tiranë, për sfidën e fundit në grupin E kualifikues të Euro 2024. Kuqezinjtë vijnë si të kualifikuar për në “Gjermani 2024” (pas barazimit 1-1 në Moldavi), teksa kërkohet një pikë kundër kundërshtarit më modest të grupit për të siguruar vendin e parë në grup.

Tanimë shkallët e “Air Albania” janë populluar dhe ngjyrat kuqezi dominojnë kudo. Tifozët e Kombëtares kanë nisur festën me një koreografi të veçanë dhe një flamur gjigant. Nuk mungojnë flamujt kombëtar, ata të UÇK-së dhe këngët patriotike. Impianti do jetë plot dhe 22.500 tifozë kuqezi do shijojnë 90 minutat e sotme.

Mbrëmja e sotme do jetë një festë, jo vetëm sportive. Pas ndeshjes në stadium do ketë një koncert me këngë dhe valle, teksa kjo është hera e dytë që kuqezinjtë marrin pjesë në një turne të tillë, pas “Francë 2016”.

Trajneri Sylvinho parasheh pesë ndryshime në formacion nga ndeshja e fundit, ndërsa edhe policia ka marrë masa të ashpra për këtë duel, duke bërë apel për “festë të kulturuar” dhe për kontrolle të ashpra, në mënyrë që në stadium mos ketë flakadanë dhe mjete piroteknike.

“Apelojmë për tifozët, sportdashësit dhe të gjithë qytetarët që të zbatojnë udhëzimet e Policisë, për bllokimim e rrugëve dhe rregullat për hyrjen në stadium, duke mos tentuar që të futin në stadium asnjë send të kundërligjshëm, pasi kontrolli do të jetë i rreptë, njësoj siç është vepruar në ndeshjet e tjera ndërkombëtare”, njofton policia.

Sa për statistika, kjo është ndeshja e dytë që tanët luajnë kundër Ishujve Faroe. E para u zhvillua më 20 qershorin e këtij viti, po për grupin E, ku kuqezinjtë fituan 1-3. Ndeshjen e sotme e gjykon gjermani Sven Jablonski.

Formacioni zyrtar:

Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Ismajli, Gjimshiti, Balliu, Mitaj; Asllani, Bare, Bajrami; Uzuni, Asani, Daku Trajner: Sylvinho