Çështja e infrastrukturës rrugore është një ndër problemet kryesore dhe emergjente për banorët e territorit të Bashkisë Shkodër. Kudo që shkoj dhe me këdo që takohem, kërkesa e parë është të investohet në rrugë.

Fshati “Bardhanjor” në Njësinë Administrative “Rrethina” është një ndër fshatrat më të bukur që mund të kthehet edhe në një destinacion turistik. Përpara se të mbërrish në fshat, ndeshesh me një rezervuar uji dhe një pamje fantastike e maleve dhe fushave përreth. Tokat bujqësore të punuara nga banorët I japin hijeshinë këtij fshati I cili është shumë pak kilometra larg Shkodrës.

Bashkia Shkodër ka investuar në rrugën e kësaj zone por ka mbetur një gjatësi rruge prej rreth 2 kilometër, pa investim. Banorët kërkojnë që të mundësohet vazhdimi i investimit pasi ky segment lidhet me fshatin Rrenc, ku banorët dërgojnë çdo ditë fëmijet në shkollë përmes kësaj rruge të amortizuar.

U takova me banorët e zonës dhe me Pal Gështenjën, Gjergj Dakajn, Ndoc Hanjën dhe Luigj Gështenjën të cilët kanë lobuar fort për vazhdimin e investimit për këtë rrugë që prej vitit 2017. Ata kanë bërë shumë kërkesa në Bashki, Qark madje dhe në Ministrinë e Infrastrukturës. Rrinë pas dyerve të Bashkisë pasi duan të takojnë dhe të shtrojnë kërkesën e tyre edhe tek kryetari aktual I bashkisë Shkodër, Benet Beci.

Në cilësinë e anëtares së Këshillit Bashkiak I premtova banorëve se do I kërkoj një takim kryetarit të Bashkisë, Benet Becit, që bashkë me një përfaqësi të ngushtë të banorëve t’ja parashtrojmë këtë kërkesë direkt atij!