I shumëkërkuari Behar Bajri ka mbërritur në Shqipëri. Ai u ekstradua nga Franca, pasi ishte në kërkim nga SPAK për vrasja në dosjen Metamorfoza. Bajri duhet të sillej nga Franca ne Shqipëri mbrëmjen e djeshme por vetëm mëngjesin e sotëm ai ka shkelur token shqiptare.

Mëngjesin e sotëm ai është sjelle nga Parisi në Tiranë me një fluturim charter.

43-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, në kuadër të operacionit policor të koduar “Metamorfoza”, i zhvilluar në muajin gusht, nga strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Për këtë person, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal” dhe “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë, kryer në bashkëpunim”.

Bajri dyshohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë ka vrarë shtetasin Gj. B.(N.), më datë 09.08.2020, në Shkodër. Gjithashtu dyshohet se ka organizuar dhe koordinuar bashkëpunëtorët e tij, iu ka dhënë informacione mbi vendndodhjen e kundërshtarëve, për të organizon prita, me qëllim vrasjen e tyre.