Xhubleta ende nuk ka fituar statusin e plotë të mbrojtjes nga UNESCO dhe aktualisht ndodhet në paradhomë duke pritur vendimin përfundimtar që do jetë pas dy vitesh. Gjatë një bisede në bibliotekën “Marin Barleti” në Shkodër në ditët e festivalit letrar, studiuesja Luljeta Dano e cila është e para që inicioi që para 20 vitesh për rrugëtimin e Xhubletës tha se pas dy vitesh kjo veshje mbi 4 mijë vjeçare e Malësisë së Shqipërisë rrezikon që të mos pranohet nga UNESCO në rast se nuk prodhohet ashtu siç u prodhua ndër shekuj dhe në rast se nuk provohet se vijon që të jetë një veshje e gjallë e jetës së shqiptarëve në ditët e sotme. Festa për Xhubletën në UNESCO është e parakohshme shprehet studiuesja Dano ndërsa tregon se kjo veshje nuk po prodhohet si më përpara dhe kjo mund të bëjë që UNESCO në vitin 2025 të mos e pranojë.
Për të mundësuar prodhimin e Xhubletës ashtu si shumë vite më përpara tashmë duhet që shteti shqiptar të mbështesë dijebërëset e kësaj veshje me shumë vlera si dhe të krijojë strukturat e përshtatshme që nevojiten si e vetmja mënyrë për ta shpëtuar këtë veshje me shumë vlera.
Gjatë bisedës në bibliotekën e qytetit të Shkodrës “Marin Barleti” studiuesja e Xhubletës Dano u shpreh se edhe punimet shkencore për këtë veshje mijëvjeçare nuk janë të plota e po ashtu mungojnë edhe dëshmitë e gjalla për Xhubletën dhe dijebërjen e saj të shkruara në tekste të ndryshme të cilat duhen realizuar dhe trashëguar si e vetmja mënyrë për ta mbajtur të gjallë në mënyrë që Xhubleta t’i mbesë Shqipërisë dhe të mos përvetësohet nga Serbia si në rastin e lahutës që serbët e regjistruan në UNESCO.