Promovimi i Shqipërisë në mediat më të njohura botërore ka dhënë impaktin pozitiv të rritjes së numrit të turistëve që vizitojnë vendin tonë. Hapi i radhës duket se është “Wanderlust in Albania”, konkursi ndërkombëtar me foto dhe video reels nga pikat më të bukura turistike, një iniciativë e Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit në vendin tonë.

Me anë të këtij konkursi fotografë e vizitorë të pasionuar pas fotografive dhe videove do të përcjellin imazhet e tyre nga Shqipëria, për të zbuluar dhe përjetuar së bashku një udhëtim magjepsës drejt bukurive shqiptare të bregdetit, të maleve, qyteteve, trashëgimisë kulturore, kulinarisë e siteve arkeologjike.

Në një konferencë shtypi të organizuar sot, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela, kanë ftuar fotografë, kameramanë, njerëz të pasionuar pas fotografisë, por edhe thjesht pushues e vizitorë të Shqipërisë, që të bëhen pjesë e Konkursit Ndërkombëtar të Fotografisë dhe Videove Reels “Wanderlust in Albania: Photos & Reels International Competition”.Shpallja e fituesve të konkursit do të realizohet në një mbrëmje gala në 12 dhjetor. Ashtu sikundër miliona turistë zgjodhën Shqipërinë këtë verë edhe Konkursi Ndërkombëtar “Wanderlust in Albania” është një ftesë e hapur dhe për të ëndërruar së bashku me fotot e reels-et për një Shqipëri magjepsëse dhe të vërtetë.