Fshati i vogël i Bogës me rreth 70 shtëpi i ndodhur vetëm 50 minuta larg Shkodrës që bën pjesë në njësinë administrative të Shkrelit në Malësi të Madhe është ndër zonat më të bukura ne veri të vendit. Por zhvillimi që ka nisur të marrë ky fshat sipas banorëve ka nevojë që të ketë edhe shërbime për ti dhënë hov turizmit. Rruga e ngushtë e fshatit, mos rehabilitmi i përrenjve malor dhe mos njohja e titujve të pronësisë janë disa nga problematikat që banorët shpresojnë që të gjendet një zgjidhje.

“Nevojat emergjente janë zgjerimi i rrugës të bëhet domosdo dy kalimesh, kërkohet ndërhyrja e pushtetit qendror që ta realizoj në një kohë sa më të shkurtër. Sistemimi i përrenjve është edhe kjo shumë emergjente, kemi nevojë edhe për pajisjet me certifikata pronësie të tokave”, tha Luigj Gegaj një banor.

“E kemi tepër të nevojshme për me marr pronën gjithsecili se deri më sot akoma nuk dihet gjë se kujt është prona, prona është e jona”, tha kryetari i fshatit Palok Gegaj.

Ndërkohë Bashkia e Malësisë së Madhe ka strategji që këto destinacione turistike t’i kthejë në gjithëvjetor. Së fundmi më mbështetjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit në Bogë është ndërtuar pedonalja me ndriçim, e gjitha me gurë dekorative.

“Ne synojmë qe te zhvillojmë turizmin gjithëvjetor sepse ky eshte synimi jone qe te kemi turizëm 365 dite. Kapacitetet po rriten ne mënyrë shume te shpejte kemi investime qe shkojnë deri ne 100 shtretër akomoduese. Investitor te ndryshëm si te zonës por qe vijnë edhe nga vende te ndryshme te Shqipërisë kane investuar”, tha përgjegjësi i Zyrës se Turizmit ne bashkinë Malësie e Madhe, Eristjan Smajlaj.

Vetë pozicioni gjeografik i Bogës e bën këtë treve një ansambël të mahnitshëm, për sa i përket fushës së turizmit, që për nga llojet mund të jetë unikal në Shqipëri dhe rajon.