Myftinia Shkodër, 6 nëntor 2023
Myftiu Sytari: “Muslimanë dhe të krishterë, dorë për dorë në shërbim të harmonisë kombëtare!”
Ditën e hënë, më 6 nëntor 2023, Myftiu i Zonës Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një vizitë në Arqipeshkivë Shkodër-Pult, ku u prit nga Arqipeshkvi mons. Angjelo Massafra me bashkëpuntorë.
Takimi erdhi në atmosferën e përkujtimit të 33-vjetorit të zhvillimit të ceremonive të para fetare masive në Shkodër, që i paraprinë rënies së sistemit komunist në Shqipëri.
Myftiu Sytari theksoi se datat e ceremonive historike të meshës dhe të xhumasë së parë, duhet të shpallen festa zyrtare, si data përkujtimore që i shërbejnë forcimit të mëtejshëm të harmonisë kombëtare dhe ruajtjes së identitetit fetar e kombëtar.
Arqipeshkvi Massafra falënderoi Myftiun e Shkodrës për këtë vizitë dhe u lut për bashkëpunim të mëtejshëm në projekte dhe nisma të përbashkëta, që i shërbejnë komunitetit.
Gjatë këtij takimi, u diskutua për çështje me interes të përbashkët, si dhe u këmbyen lutje për mbarësi dhe bekime.