Hysen Zmijani është një nga lojtarët më të spikatur shqiptarë të dy dhjetëvjeçarëve të fundit të shekullit të shkuar dhe një lojtar me mjaft histori interesante, njërës prej të cilave i është rikthyer këto ditët e fundit.
Ditët e fundit ju keni qenë mysafir në Arabinë Saudite, aty ku keni luajtur 30 vite më parë me atë që është bërë gjatë vitit të fundit edhe një nga skuadrat më të famshme në botë, me El-Nasrin. Para se mbetemi tek e tashmja, i rikthehemi për pak çaste të shkuarës… si ndodhi në vitin 1993 që një futbollist nga Shqipëria, si ju, zgjodhi të shkonte në Arabinë Saudite, si erdhi kjo ofertë?
“Edhe për mua ishte një surprizë. Fillimisht shkova në Francë, te Aajaço, trajneri që kisha aty për dy vite shkoi në Arabinë Saudite. Ai më tërhoqi në Arabi, bëra një provë aty, më pëlqyen dhe mbeta atje”.
Si do ta cilësonit këtë aventurë tuajën 2-3-vjeçare dhe si e kujtoni nivelin e futbollit atëherë në Arabinë Saudite?
“Sigurisht që atëherë nuk ishte ky nivel, evolucioni ka bërë të vetën. Kanë hedhur para shumë, ndoshta për diçka pak më të madhe. Në atë kohë ishte një futboll pak a shumë, si në ligën tonë, ndoshta edhe pak më poshtë. Por, sigurisht që evolucioni i ndodhur e ka bërë që ky ekip të jetë ndër më të përfolurit në botë, duke marrë në konsideratë lojtarët që kanë shkuar atje, Ronaldo e të tjera. Ky është evoulimi i futbollit, evoulimi i asaj skuadre”.
Duke u zhvendosur tashmë 30 vjet më pas, si erdhi kjo ftesë për ju nga El-Nasri dhe çfarë ishte kjo vizitë e juaja atje?
“Ishte një ftesë nga ana e klubit, kam patur vazhdimisht kontakte me ta. Çdo tre apo katër muaj flas dhe me ndonjë shok që kam patur atje në skuadër, apo me drejtuesit. Erdhi dita edhe për mua për të marrë një ftesë për një ndeshje të Champions League të rajonit të tyre. Pashë një ndeshje e më pas erdhi momenti për një darkë apo me u taku me Ronaldon, apo për të ndjekur stërvitjen e ekipit të El-Nasri”.
Cili ishte dallimi midis asaj që ju keni parë atëherë dhe asaj që patë në këtë rikthim tek kjo skuadër?
“Atëherë ishte më e mbyllur, ishte jo e lehtë për të jetuar për një europian. Por sigurisht me ofertën që na bënë, ishte e kënaqshme për ne, se sot është komplet tjetër gjë. Infrastruktura e atëhershme me të tanishmen është si nata me ditën. Atëherë nuk kishte Akademi, ishte vetëm një skuadër që mund ti shërbente, ndërsa tani ka Akademi dhe progresi është i jashtëzakonshëm nga ana profesionale. Edhe klubi ishte shumë i kënaqur nga ajo që po përfitonte nga Ronaldo apo lojtarët e tjerë që kishin marrë”.
Duket nga fotot që kishte ende tifozë që ju mbajnë mend dhe kërkonin të bënin foto me ju, apo jo?
“Sigurisht, ishte një kënaqësi e imja. Kishte dhe të rinj që kërkonin të bënin foto, u ndjeva i surprizuar, edhe për faktin se kanë kaluar 30 vite, ndërsa ata mund të ishin 25 vjeç. Më bëri përshtipje, isha i kënaqur me veten që kam lënë një përshtypje te baballarët e tyre, ndoshta dhe këta kishin atë nostalgjinë e tyre që unë isha dikush atje”.
Natyrisht, qershia mbi tortë ishte takimi me Kristiano Ronaldon… si do ta përshkruanit atë njeri?
“Nuk ishte e lehtë të takohesha me Ronaldon. Sigurisht që klubi më krijoi mundësinë, sepse me të duhet të lëshë takim. Edhe në stërvitje nuk kishte asnjeri afër, ishte komplet diçka tjetër me atë që kam përjetuar vet më përpara”.
Duke u zhvendosur në një tjetër temë… Si e keni parë Kombëtaren kuqezi, si një ish-lojtar i saj, dhe a do të shkojë Shqipëria në Evropian?
“Them se po, me 90% është e siguruar. Duke marrë në konsideratë dhe emrat që po vijnë, me një trajner në kohën dhe momentin e duhur, që na duhet, po mer rrezik përsipër dhe po e realizon, është kënaqësi ti ndjekësh, sepse po luajnë edhe futboll. Më përpara kishim frikë, ndërsa tani nuk kemi frikë, kemi guxim për tu përballur me skuadrat më të mira në botë siç është Polonia. Kjo Kombëtare është për tu admiruar dhe për tu ndjekur në vazhdim”.
Dhe, së fundi, Vllaznia nuk po gjen paqe, sapo ka ndërruar trajner dhe sezoni nuk po premton… si mund të dalë skuadra nga kjo gjendje?
“Sigurisht që edhe fillimi nuk ishte i dashur për të gjithë spektatorët, sigurisht edhe për ne që mund të japim një mendim nga njëra anë. Nga ana tjetër duket se nuk kemi ndonjë vlerë, duhet punuar me Akademinë shumë më tepër, ka mangësi përsa i përket infrastrukturës. Po ta shikojmë, Vllaznia ka vetëm një terren për nëntë ekipe të akademisë. Sigurisht që ekipi i parë ka një terren të vetin, por mangësitë janë tek Akademia. Nëse Vllaznia nuk prodhon, atëherë do e ketë të vështirë të realizojë të ardhmen. Sot kemi 12 apo 14 lojtarë të blerë, Vllaznisë nuk i shkon të blejë kaq shumë, sepse ka një Akademi të admirueshme nga e gjithë Shqipëria. Momentet nuk janë të mira për Vllazninë”.